BE-ja përballet me javë vendimtare për huan e dëmshpërblimeve për Ukrainën

Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Bashkimin Evropian në lidhje me gjetjen e një rruge për ta financuar Ukrainën për dy vjetët e ardhshme, kur udhëheqësit e bllokut të mblidhen në Bruksel më 18–19 dhjetor.

Pjesë mbase kyç e kësaj pakete është e ashtuquajtura hua e dëmshpërblimeve për Kievin.

Radio Evropa e Lirë (REL) analizon se si do të funksiononte kjo hua, cilat janë pikat kryesore dhe cilat mund të jenë alternativat në rast se nuk arrihet marrëveshje.

Çfarë është në rrezik?

Për ta thënë troç: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se Ukrainës i nevojiten rreth 135 miliardë euro për dy vjetët e ardhshme, sepse ajo do të përballet me një boshllëk buxhetor prej 71.7 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe i duhet që paratë të mbërrijnë në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2026, pra në prill.

Vendete perëndimore e kanë mbështetur Ukrainën, e cila ka pësuar dëmtime të mëdha nga lufta, me mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore dhe ndihmë ushtarake qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj pothuajse katër vjet më parë.

Por, periudha e ardhshme mund të jetë e ndryshe, pasi Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se me gjasë nuk do t’i dërgojnë më asaj fonde shtesë.

Prandaj, barra tani bie mbi BE-në dhe vendet e tjera të G7-ës, për ta shtuar angazhimin dhe ato duhet ta bëjnë këtë shpejt.

Çfarë është huaja e dëmshpërblimeve?

E përmendur për herë të parë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një fjalim të rëndësishëm në shtator, huaja është vlerësuar gjatë vjeshtës si shumë e rëndësishme për Ukrainën.

Ideja, e paraqitur në hollësi nga Von der Leyen në fillim të dhjetorit, është përdorimi i vlerës monetare të aseteve të ngrira të shtetit rus në BE, duke i shndërruar ato në një hua dëmshpërblimesh për Ukrainën, të cilën Kievi do të duhet ta shlyejë vetëm nëse Rusia i paguan dëmet e luftës në Ukrainë, gjë që duket se nuk do të ndodhë.

Brukseli këmbëngul se huaja nuk nënkupton konfiskim të aseteve ruse në BE, por se vlera monetare do të zëvendësohet me obligacione ose mjete financiare të lëshuara nga Komisioni Evropian dhe të mbështetura nga shtetet anëtare të BE-së dhe me gjasë nga vende jo anëtare të gatshme t’i bashkohen skemës.

Po vazhdimi i sanksioneve të BE-së?

Kjo është pjesë e ndërlikuar, megjithëse duket se ambasadorët e BE-së e gjeten një rrugëdalje të enjten. Asetet e ngrira ruse në BE mbeten të ngrira vetëm sepse 27 shtetet anëtare, njëzëri, dy herë në vit i vazhdojnë të gjitha sanksionet financiare ndaj Moskës.

Shqetësimi kryesor i shumicës ishte: çfarë ndodh nëse vende të afërta me Kremlinin, si Hungaria dhe Sllovakia, e kundërshtojnë vazhdimin e tyre?

Në skenë dolën mendjen më të ndritura ligjore të Brukselit dhe sugjeruan përdorimin e nenit 122 të traktatit të BE-së për ta anashkaluar këtë rrezik.

Ky nen lejon vendet anëtare të vendosin “në frymën e solidaritetit ndërmjet shteteve anëtare, masat e përshtatshme për situatën ekonomike”

Juristët e BE-së besojnë se kjo mundëson që vazhdimi i sanksioneve të bëhet me shumicë të kualifikuar në vend të njëzëshmërisë.

Dhe, kështu nuk ka nevojë për vazhdimin e tyre çdo gjashtë muaj. Shumica e vendeve anëtare u pajtuan dhe masa u miratua.

Me këtë, realizimi i huas së dëmshpërblimeve për Ukrainën është një hap më afër, por ky është terren i paeksploruar ligjor me pasoja të mëdha politike dhe ka gjasë të sfidohet në gjykatat e BE-së nga vende që nuk pranojnë të anashkalohen.

Për çfarë shume parash flitet?

Ka shumë shifra për të cilat, ndaj le t’i sqarojmë: rreth 140 miliardë euro asete shtetërore ruse mbahen në kompaninë financiare, Euroclear, me seli në Belgjikë.

Janë edhe 25 miliardë euro të tjera në banka në BE, kryesisht në Francë, por gjithashtu në një bankë private belge, në Qipro dhe në Gjermani.

Pra, 165 miliardë euro në përgjithësi. Mirëpo, huaja e dëmshpërblimeve është pjesë e një pakete më të gjerë financiare prej rreth 210 miliardë eurove, sipas Komisionit Evropian.

Kjo përfshin edhe 45 miliardë euro për shlyerjen e një huaje të G7-ës për Ukrainën nga viti 2024.

Është edhe një shifër tjetër: 90 miliardë euro. Kjo është shuma që BE-ja do t’i vinte në dispozicion Ukrainës më 2026 dhe 2027, që përbën rreth dy të tretat e nevojave të saj financiare.

Brukseli shpreson që partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si Kanadaja, Japonia, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, ta mbulojnë pjesën tjetër.

Cilat janë pengesat kryesore?

Belgjika, ku ndodhen shumica e fondeve, ka shumë kundërshtime. Kryeministri i saj, Bart De Wever, i ka thënë ato publikisht dhe përmes letrave dërguar liderëve evropianë muajt e fundit, ndërsa Von der Leyen dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kanë zhvilluar bisedime të gjata me të për ta bindur.

A e kanë bindur? Duket që ende jo. Kjo hua duhej të miratohej politikisht në samitin e tetorit në Bruksel, por De Wever e kundërshtoi ashpër.

Pritet që diskutimet, që nisin më 18 dhjetor, të zgjasin deri të nesërmen. Madje, në Bruksel përflitet për një samit të jashtëzakonshëm në fillim të janarit, nëse nuk gjendet zgjidhje.

Është e rëndësishme të theksohet se huaja e dëmshpërblimeve mund të miratohet me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së).

Pra, Belgjika mund të anashkalohet, megjithëse deri tani të gjithë kanë premtuar se do të përpiqen ta pranojnë atë si pjesë e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, Belgjika ka kërcënuar se do ta çojë çështjen në gjykatë, nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.

Nga çfarë po frikësohet Belgjika?

Nga shumë gjëra. Para së gjithash, hakmarrja e mundshme e Rusisë ndaj Belgjikës dhe Euroclearit. Kjo nënkupton konfiskime financiare dhe sfida ligjore.

Prandaj, vendi kërkon garanci eksplicite financiare nga kryeqytetet e tjera të BE-së, në rast se Moska arrin të rikuperojë ndonjë pjesë të fondeve.

Debati i javës së ardhshme do të përqendrohet në formën që do të kenë këto garanci, sa shpejt do të jenë të disponueshme dhe sa gjatë do të zgjasin.

Dëshira e Belgjikës është që garancitë ta tejkalojnë shumë prej 140 miliardësh të Euroclearit, të jenë të gatshme brenda ditësh, të zgjaten përtej kohëzgjatjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe që edhe vendet e tjera që mbajnë asete ruse të kalojnë nëpër të njëjtat procedura sikurse Belgjika.

A mund vendet e tjera t’i plotësojnë kërkesat Belgjikës?

Pak a shumë. Ka vullnet për garanci financiare dypalëshe, të bazuara në të ardhurat kombëtare bruto.

Gjermania ka lënë të kuptohet se mund ta sigurojë rreth 25 për qind të mbështetjes duke përdorur këtë çelës. Por, nevojiten sa më shumë vende pjesëmarrëse, përndryshe barra do të rëndojë mbi më pak kontribuues.

Hungaria dhe Sllovakia kanë thënë se nuk do të marrin pjesë, por ekonomitë e tyre janë të vogla. Nga ana tjetër, vende të mëdha si Italia dhe Franca duhet të përfshihen.

Ka pasur thashetheme se shumica e vendeve të BE-së së bashku mund t’i garantojnë deri në 200 miliardë euro, por vetëm për dy vjet, pasi buxheti i ri shumëvjeçar i BE-së hyn në fuqi në vitin 2028.

Komisioni Evropian ka premtuar gjithashtu krijimin e një “mekanizmi likuiditeti” që mund t’u japë qeverive para menjëherë për të siguruar pagesën e garancive në rast nevoje.

BE-ja po përgatit edhe një propozim ligjor për të mbrojtur shtetet anëtare dhe bankat e tyre nga masat hakmarrëse ligjore të Moskës, megjithëse hollësitë mbeten të paqarta.

Vazhdimi i sanksioneve të BE-së?

Kjo është një tjetër çështje që i shqetëson Belgjikën dhe vende të tjera.

Asetet ruse vazhdojnë të jenë të ngrira vetëm sepse 27 vendet anëtare, njëzëri, i vazhdojnë dy herë në vit sanksionet financiare ndaj Moskës.

Çfarë nëse Hungaria dhe Sllovakia vendosin të mos e japin dritën jeshile për këtë?

Për ta anashkaluar këtë, propozohet sërish përdorimi i nenit të traktatit të BE-së që lejon masa të përbashkëta në frymën e solidaritetit për të adresuar gjendjen ekonomike.

Juristët e BE-së besojnë se kjo mund të mundësojë vazhdimin e sanksioneve me shumicë të kualifikuar.

Kjo mund të funksionojë, por është terren i paeksploruar me pasoja të mëdha politike dhe me shumë gjasë do të sfidohet në gjykatë nga vendet që kundërshtojnë anashkalimin.

A ka një plan B?

Po. Komisioni Evropian ka paraqitur një alternativë bashkë me propozimin për huan e dëmshpërblimeve. Plani B parashikon që Komisioni të lëshojë borxh të përbashkët dhe ta mbështesë atë me buxhetin e BE-së.

Por, janë dy çështje.

Shumë shtete anëtare nuk janë të prira të marrin borxh të ri që qytetarët e tyre duhet ta shlyejnë pastaj. Dhe, masa kërkon njëzëshmëri, dhe Hungaria e ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë.

Një plan C potencial do të ishte që shtetet individuale t’i japin fonde Ukrainës drejtpërdrejt, por pak politikanë evropianë janë të gatshëm ta bëjnë këtë në një periudhë rritjeje të ulët ekonomike, duke qenë se mendojnë se Rusia është përgjegjëse në radhë të parë. /rel