BE-ja me rregullore të re për vizat – çfarë do të thotë për Kosovën?

Çfarë parasheh rregullorja e re për pezullimin e vizave dhe si mund të ndikojë në Kosovë?

Në Parlamentin Evropian është mbajtur ceremonia zyrtare e nënshkrimit të rregullores së re për regjimin e vizave, përmes së cilës Bashkimi Evropian synon të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave për qytetarët e vendeve joanëtare të BE-së.

Kjo do të thotë se Komisioni Evropian mund të kërkojë pezullimin e përkohshëm të udhëtimeve pa viza nëse evidenton shkelje të rregullave të qëndrimit, rritje të papritur të kërkesave për azil në vendet anëtare, refuzim të hyrjeve për arsye sigurie, kryerje të veprave penale serioze ose shkelje të sigurisë së dokumenteve dhe pasaportave.

Një rritje prej 30 për qind e rasteve të refuzimeve për hyrje, qëndrimit të paligjshëm ose kryerjes së krimeve serioze do të jetë e mjaftueshme për të aktivizuar mekanizmin për pezullimin e vizave, krahasuar me pragun e mëparshëm prej 50 për qind.

Në arsyet që mund të çojnë në heqjen e regjimit pa viza për qytetarët e 61 vendeve përfshihen edhe rastet që cilësohen të rrezikshme, sikurse ofrimi i shtetësisë për individë pa lidhje reale me vendin në këmbim të investimeve, përkeqësimi i marrëdhënieve diplomatike, shkeljet e të drejtave të njeriut, veprimet kundër interesave të BE-së, ose përdorimi i migracionit për destabilizim politik dhe social.

E pezullimi fillestar i regjimit të vizave mund të shkojë nga 9 deri në 12 muaj – periudhë që BE-ja e konsideron të mjaftueshme për vlerësimin dhe adresimin e problemeve që kanë çuar në aktivizimin e mekanizmit të pezullimit. Por, pezullimi mund të zgjasë deri në 24 muaj, në varësi të natyrës dhe seriozitetit të shkeljeve.

Në rastet kur vështirësitë ose abuzimet vlerësohen se janë përgjegjësi ekskluzive e qeverisë së vendit të prekur, kufizimet mund të aplikohen kryesisht ndaj diplomatëve dhe zyrtarëve shtetërorë, duke shmangur ndikimin e drejtpërdrejtë mbi qytetarët e zakonshëm, por duke siguruar një masë efektive presioni për përmirësimin e situatës.

Ndryshe, rregulloja e re do të hyjë në fuqi në dhjetor 2025, apo tre javë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së. KE-ja do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme situatën në vendet që përfitojnë nga udhëtimet pa viza dhe, nëse nevoja e kërkon, do të marrë masa për të vendosur pezullimin, në konsultim me shtetet anëtare të BE-së.