BE-ja me pako të re sanksionesh ndaj Rusisë, Kallas: Presion deri në ndalje të luftës

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, ka njoftuar përmes një serie postimesh në platformën X paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke theksuar se qëllimi është dobësimi i burimeve financiare që e mbajnë gjallë luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Kallas tha se Moskës i duket se mund ta vazhdojë luftën por shtoi se BE-ja po sigurohet që të paguajë çmimin për këtë.

Zyrtarja e lartë e BE-së tha se “nuk do të ndalojmë së bëri presion Rusisë derisa të ndalë luftën e saj”.

Në kuadër të masave të reja, BE-ja ka listuar 118 anije si pjesë e “flotës në hije” dhe ka ndaluar rishpërndarjen e sigurimeve për to, si pjesë e synimit për të kufizuar të ardhurat që Rusia siguron nga energjia.

Një objektiv tjetër është përshpejtimi i ndërprerjes së importit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia deri më 1 janar 2027.

Sipas Kallas, lufta e Kremlinit mbështetet nga rrjedhat e paligjshme të parasë dhe BE synon t’i ndërpresë ato “në burim”. Për këtë arsye, ajo tha se paketa e re përfshin masa kundër skemave të shmangies financiare në vendet e treta, përfshirë përmes kriptovalutave, si dhe ndaj sistemit rus të kartave të pagesave MIR.

“Asnjë sektor nuk është i paprekshëm”, ka theksuar ajo, duke bërë të ditur se në këtë rund do të përfshihen edhe aktorë industrialë që gjenerojnë të ardhura për Rusinë.

Në listë do të shtohen kimikate, komponentë metalikë, kripëra dhe minerale, të cilat do të përfshihen në ndalimet e eksportit. Gjithashtu, do të ketë kontrolle më të rrepta mbi kompanitë nga Rusia, Kina dhe India që furnizojnë industrinë ushtarake ruse.

“Mesazhi ynë është i qartë: nëse e lejoni luftën e Rusisë dhe përpiqeni t’i shmangeni sanksioneve tona, do të përballeni me pasojat”, deklaroi Kallas.

Një pjesë e rëndësishme e sanksioneve lidhet edhe me mbrojtjen e fëmijëve ukrainas. Kallas ka dënuar deportimin dhe indoktrinimin e tyre në kampet ruse, duke e quajtur “të papërshkrueshme” këtë praktikë.

BE, tha ajo, do ta bëjë më të lehtë vendosjen e sanksioneve ndaj individëve të përfshirë në rrëmbimin e fëmijëve.

“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë të shndërrojë vetë fëmijërinë në armë”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.