BE-ja e gjobit Google-in me rreth 3 miliardë euro

Komisioni Evropian ka vendosur të premten një gjobë prej 2.95 miliardë eurosh ndaj kompanisë amerikane, Google, për shkelje të rregullave të konkurrencës duke i favorizuar shërbimet e veta të reklamimit digjital.

Komisioni Evropian gjithashtu urdhëroi gjigantin amerikan të teknologjisë t’i ndalë “praktikat e favorizimit të vetes” dhe të marrë masa për ta shmangur “konfliktet e interesit” përgjatë zinxhirit të furnizimit në teknologjinë e reklamave.

Kjo është hera e katërt që KE-ja e gjobit Google-in. Vendimi i degës ekzekutive të Bashkimit Evropian pritet ta zemërojë presidentin amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit ka sulmuar Bashkimin Evropian për rregullat e vendosura ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë.

Komisioni Evropian tha se hetimi i tij zbuloi se Google “abuzoi me pushtetin e vet” duke favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamimit online në dëm të konkurrentëve, reklamuesve dhe botuesve.

Kompania ka 60 ditë kohë për të paraqitur propozime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Nëse nuk paraqet një plan të zbatueshëm, Komisioni nuk do të hezitojë të vendosë një zgjidhje të përshtatshme”, tha Teresa Ribera, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian që mbikëqyr çështjet e konkurrencës, në një deklaratë të publikuar online.

“Në këtë fazë, duket se mënyra e vetme për Google që ta eliminojë realisht konfliktin e interesit është përmes një zgjidhjeje strukturore, siç është shitja e një pjese të biznesit të saj Adtech”, shtoi Ribera.