BE e ndarë për çështjen e heqjes së masave ndaj Kosovës – raportohet se mund të mbesin në fuqi

Transforimi i pushtetit lokal në veri nuk do të mjaftojë që Bashkimi Evropian t’ia heqë sanksionet Kosovës.

BE-ja kishte premtuar se masat do të hiqeshin sapo të përmbyllej pa pengesa procesi i transferimit të pushtetit lokal në komunat veriore. Megjithatë, burime diplomatike i kanë thënë KOHA-s se heqja e sanksioneve nuk shihet si e mundshme aktualisht.

Në anën tjetër, të paktën trembëdhjetë shtete anëtare thuhet se kanë kërkuar që masat të hiqen pa vonesë. Por, sipas raportimit, diplomatë evropianë besojnë se Komisioni Evropian po shmang marrjen e një pozicioni të qartë në dritën e kundërshtimeve nga vende si Franca, Italia, Spanja, Hungaria dhe Sllovakia.