Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po afrohen drejt një marrëveshjeje të rëndësishme tregtare, në përpjekje për të shmangur vendosjen e tarifave 50% mbi të gjitha eksportet evropiane, një masë që pritet të hyjë në fuqi nga e mërkura e ardhshme sipas një afati të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Gazeta britanike The Guardian raporton se bisedimet që po zhvillohen në Uashington mund të zgjasin deri në momentet e fundit përpara afatit. Megjithatë, sipas diplomatëve dhe zyrtarëve evropianë, BE-ja është e hapur për të pranuar tarifat ekzistuese prej 10% si një formë kompromisi. Ky qëndrim, sipas burimeve, do të kushtëzohej me zgjatjen e periudhës së negociatave dhe me mundësinë e lehtësimit të tarifës 25% që rëndon aktualisht mbi eksportet e makinave – një goditje serioze për industrinë automobilistike gjermane.
Trump ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 9 korrik, do të vendosë tarifa 50% për të gjitha produktet që importohen nga BE-ja. Aktualisht, shumica e mallrave evropiane tarifohen me 10%, ndërsa automjetet dhe pjesët e tyre përballen me tarifa 25%, dhe çeliku e alumini me 50%.
Në përpjekje për të finalizuar një marrëveshje, kreu i tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, ndodhet në Uashington ku të enjten zhvilloi takime të paparashikuara me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, dhe sekretarin e Thesarit, Scott Bessent – një nga aleatët më të afërt të presidentit Trump. Fillimisht, Šefčovič kishte parashikuar vetëm një takim me përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer.
Ky përshpejtim i negociatave ndodh në një moment kur kancelari gjerman Friedrich Merz ka rritur presionin për arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë, duke theksuar në një deklaratë nga Berlini: “Më mirë një zgjidhje e shpejtë dhe e thjeshtë sesa një marrëveshje komplekse që zvarritet me muaj.”
Ai gjithashtu nënvizoi se tarifat aktuale përbëjnë “një barrë të madhe për bizneset evropiane”.
Šefčovič është gjithashtu në kërkim të një garancie që gjatë periudhës së zgjatjes së bisedimeve, SHBA nuk do të vendosë tarifa të reja.
Një diplomat i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, tha se një marrëveshje është shumë e mundshme: “Nëse nuk arrihet këtë javë, do të ndodhë përpara të mërkurës. Është në interesin e të dyja palëve.” Sipas tij, marrëveshja do të jetë “në një nivel të lartë”, por e mjaftueshme për t’i mundësuar Trump-it që ta paraqesë si një fitore politike. Disa burime përmendin edhe mundësinë që njoftimi për marrëveshjen të bëhet gjatë festimeve të Pavarësisë më 4 korrik në SHBA.
Bisedimet mes BE-së dhe SHBA-së nisën në fillim të muajit prill, pas vendimit të presidentit Trump për të vendosur tarifa të reja mbi importet nga mbi 60 shtete, në një ngjarje të cilësuar si “dita e çlirimit”. Deri tani, ai ka zyrtarizuar vetëm një marrëveshje të plotë me Britaninë e Madhe, edhe pse pretendon se ka arritur marrëveshje të ngjashme edhe me Vietnamin dhe Kinën.
Një përfaqësues nga delegacioni i BE-së që vizitoi Uashingtonin në prill i tha The Guardian se pala amerikane dorëzoi një dokument të gjatë me ankesat e SHBA-së, të strukturuara sipas vendeve. Pjesa që i përkiste BE-së përbëhej nga rreth 30 faqe.
Ndërkohë në Berlin, burime qeveritare konfirmojnë se kancelari Merz pati vështirësi në bindjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të ndryshuar qasjen e deritanishme dhe për të ndjekur një strategji më të ngjashme me atë të ndjekur nga Britania.
Von der Leyen deklaroi të enjten: “Synimi ynë është një marrëveshje në parim. Me këtë volum, brenda 90 ditësh është e pamundur të arrihet një marrëveshje e detajuar. Kjo është ajo që bëri Britania. Deri më tani, vetëm dy vende kanë arritur një marrëveshje në parim.”/abcnews.al
The post BE dhe SHBA pranë një marrëveshjeje tregtare për të shmangur përshkallëzimin tarifor appeared first on Kosovapost.net.