BDI:Mickoski përmes arrestimeve të shqiptarëve po nxitë tensione ndëretnike

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikatë ka kërkuar drejtësi dhe hetim të thellë për ngjarjen tragjike të Koçanit, ku si pasojë e zjarrit në një diskotekë humbën jetën 60 të rinj.

“Theksojmë nevojën urgjente për përgjegjësi dhe respektim të standardeve më të larta, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e BDI-së.

Kjo parti shqiptare ka kritikuar ashpër reagimin e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski, duke e cilësuar atë si të papërgjegjshme dhe të dëmshme për kohezionin shoqëror.

“Në vend që të ndërmarrë masa të shpejta dhe vendimtare dhe të kërkojë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike”, thekson më tej BDI.

Sipas komunikatës, arrestimet e fundit të disa qytetarëve shqiptarë janë të pabazuara dhe përbëjnë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga fajtorët realë.

“Aktualisht, Mickoski, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike”, thuhet tutje në reagim.

BDI dënon ashpër këto veprime, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit:

“Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike”.

Partia shpreh shqetësimin se, ndërsa qytetarë të zakonshëm ndalohen pa prova, zyrtarët e lartë që mbajnë përgjegjësi reale për tragjedinë vazhdojnë të jenë të paprekur:

“Është e qartë se, ndërkohë që individë të thjeshtë po përdoren si kurbanë, ata që mbajnë pozita të fuqishme – përfshirë ministra dhe drejtorë aktualë – vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht përgjegjësisë së tyre të plotë për këtë tragjedi”, thekson tutje BDI.

Në këtë kuadër, BDI i bën thirrje institucioneve që: Të mos veprojnë sipas ‘Ligjit të Mickoskit’, por të dëshmojnë përkushtimin e tyre për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie; Të zhvillojnë një hetim të thellë dhe transparent për tragjedinë në Koçan, të bazuar në prova, duke garantuar që personat realisht përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike; si dhe; Të përqendrohen në zgjidhjen e kërkesave legjitime të familjeve të të prekurve dhe të opinionit më të gjerë publik që kërkon drejtësi për çka është e domosdoshme të hetohen në mënyrë të thelluar të gjitha faktet që çuan në këtë fatkeqësi që mori 60 jetë njerëzore – në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.