Nga sot, ‘Allianz Arena’ ka një adresë të re, por, mbi të gjitha, ka një copë të historisë së gjallë të futbollit gjerman dhe botëror.
Klubi i Bayernit ka zyrtarizuar përmes rrjeteve sociale ndryshimin e emrit të rrugës ku ndodhet stadiumi i tij, e cila tani quhet ‘Franz Beckenbauer Platz, numër 5’, në nder të legjendës së pavdekshme Franz Beckenbauer, i ndarë nga jeta në janar të vitit të kaluar.
Numri 5 nuk është i rastësishëm: ishte pikërisht ai që “Der Kaiser” mbante në fanellën e tij gjatë karrierës brilante si futbollist, kur udhëhiqte si kapiten Bayernin dhe kombëtaren gjermane drejt lavdisë europiane e botërore.
“Një shenjë falënderimi të thellë që ruan të gjallë trashëgiminë e Franz Beckenbauer për brezat e ardhshëm,” thuhet në njoftimin e klubit bavarez.
Ky është një tjetër homazh domethënës ndaj një figure që nuk ishte vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por një simbol i stilit, autoritetit dhe suksesit në sportin më të ndjekur në botë.
Pas ndarjes së tij nga jeta, Bayerni njoftoi gjithashtu se do t’i ngrejë një statujë përballë stadiumit, përkrah asaj të një tjetër ikone të klubit, Gerd Müller.
Statuja e Beckenbauer, që pritet të përfundohet gjatë vjeshtës së këtij viti, do të jetë një tjetër kujtesë për vizitorët dhe tifozët se kush ishin ata që ndërtuan lavdinë e klubit me fanellën e kuqe.
Një nderim i denjë për një burrë që nuk ishte vetëm kampion i botës, fitues i Topit të Artë dhe lider i padiskutueshëm, por edhe një figurë që e ndryshoi futbollin si lojtar, trajner dhe drejtues.
Bayerni nuk harron dhe nuk lejon që të harrohet. Franz Beckenbauer Platz, numër 5: një adresë që tingëllon si poezi për çdo tifoz futbolli.