Lajm i madh për Bayern Munich. Jamal Musiala është rikthyer në stërvitje 110 ditë pas dëmtimit. Mesfushori ofensiv gjerman, i rritur në akademinë bavareze, është shëruar nga fraktura e këmbës që pësoi gjatë Kupës së Botës për Klube, në korrik. Të enjten u kthye për herë të parë në fushë me grupin e Vincent Kompany. “Kjo është hera e parë që rikthehem në fushë, ndjesi e mrekullueshme. Hap pas hapi do ta kap formën e duhur”, – tha Musiala për kanalet zyrtare të klubit.
Sipas “Sky Sports DE”, ai synon të luajë disa ndeshje në dhjetor, kur Bayerni të përballet me Stuttgart, Sporting, Mainz dhe Heidenheim. Drejtori sportiv Christoph Freund, pas fitores 4–0 ndaj Brugge në Champions, mbeti i kujdesshëm për të: “Do të duhet ende pak kohë, por situata është pozitive. Tani mund të mbështetet plotësisht në këmbë”.
Musiala shtoi: “Një dëmtim i tillë të mëson të njohësh më mirë trupin dhe të rikthehesh më i fortë. Këto kohë e kam kuptuar sa shumë e dua futbollin”.
The post Bayerni merr lajmin e madh, Musiala kthehet në stërvitje 110 ditë pas dëmtimit appeared first on Telesport.