Bayerni i rekordeve parakalon Milanin e Capellos, PSG dhe Leverkusen janë të paralajmëruar

Bayern Munich vazhdon marshimin e tij triumfues. Së fundi, bavarezët shkatërruan Köln 4-1 në transfertë, në 1/16-at e Kupës së Gjermanisë, duke arritur fitoren e 14-të radhazi në këtë sezon. Një sukses që iu lejon bavarezëve të thyejnë rekordin historik të Milanit të Fabio Capellos (1992/93), që kishte ndalur në 13 fitore, dhe të paraqiten në formë të shkëlqyer përpara supersfidës së Champions League ndaj PSG-së, të martën në “Parc des Princes”.

E megjithatë, ndeshja nuk nisi në mënyrën më të mirë. Köln kaloi në avantazh në minutën e 31-të me Ache, por Bayerni reagoi menjëherë me Luis Díaz dhe Harry Kane, autor i një dopiete (38’, 64’), që e çon anglezin në 22 gola në 14 ndeshje, këtë sezon. Michael Olise vulosi rezultatin 4-1 në minutën e 72-të.

Me 51 gola të shënuar dhe vetëm 10 të pësuar që nga fillimi i sezonit, skuadra e Vincent Kompany duket si një “makineri perfekte”. Konkretisht ka mesatare 3.6 gola të shënuar për ndeshje dhe mbrojtje pothuajse të pathyeshme. Tani, me synimin për ta zgjatur serinë historike të fitoreve radhazi, Bayerni do të përballet të shtunën me Bayer Leverkusen në Bundesligë, një duel që tashmë po shihet si përplasja më e fortë e momentit në Gjermani.

 

 

The post Bayerni i rekordeve parakalon Milanin e Capellos, PSG dhe Leverkusen janë të paralajmëruar appeared first on Telesport.