Bayern Munich, superfuqi edhe jashtë fushës së blertë. Bilanc rekord prej 978 milionë eurosh

Bayern Munich vazhdon të dëshmojë pse është një nga klubet më të qëndrueshme në botë, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në aspektin financiar. Në asamblenë e përgjithshme, kampionët e Gjermanisë paraqitën një bilanc rekord për sezonin 2024/25, me të ardhura të konsoliduara prej 978.3 milionë eurosh, një rritje prej 2.8% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është rritja më e lartë në historinë e klubit bavarez.

Fitimi operativ arriti në 187.8 milionë euro (+11,3%), ndërsa fitimi para tatimeve u regjistrua në 42.5 milionë dhe fitimi neto në 27.1 milionë euro, duke konfirmuar stabilitetin ekonomik të klubit bavarez.

Kreu ekzekutiv Jan-Christian Dreesen u shpreh: “Bayerni mbetet i fortë ekonomikisht, konkurrues sportivisht dhe i bashkuar në shpirt. Pavarësisht kohëve të trazuara dhe tregut të çmendur të transferimeve, kemi arritur një rekord të ri të të ardhurave dhe fitim solid. Bayerni nuk është klub i paqëndrueshëm, por stabil”. Ai shtoi se filozofia e klubit mbetet e pandryshuar: “Nuk shpenzojmë më shumë sesa fitojmë, kjo është pjesë e identitetit tonë”.

The post Bayern Munich, superfuqi edhe jashtë fushës së blertë. Bilanc rekord prej 978 milionë eurosh appeared first on Telesport.