Bayern Munich? Jo, faleminderit! Liverpool-i më i mirë për Wirtz: “Slot më bindi që në takimin e parë”

“Gjithmonë kam pasur ndjesinë se mund të bëja atë që doja. Për këtë arsye nuk u vendosa nën presion për të marrë një vendim shpejt. Kam reflektuar gjatë për të dyja klubet dhe, në fund, vendimi nuk ishte i lehtë. Sidoqoftë e mora me bindje absolute dhe jam i lumtur për këtë”.

Kështu u shpreh Florian Wirtz, talenti 117 milionë eurosh, i cili preferoi Liverpool-in para Bayern Munich, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të bavarezëve për ta transferuar.

Ish-trekuartisti i Bayer Leverkusen tregoi për gazetën gjermane “Kicker” verën intensive që kaloi së bashku me familjen dhe rrethin e tij, përpara hapit të madh drejt Premier League, pas një karriere të tërë të kaluar vetëm në Gjermani.

Ai zbuloi gjithashtu se pati kontakte si me Arne Slot, trajnerin e Liverpool-it, ashtu edhe me Vincent Kompany, trajnerin e Bayernit, gjatë negociatave. “Bisedat me Arne kanë qenë shumë, shumë pozitive që në fillim. Ai më bindi që në takimin e parë. Më dha ide të qarta dhe një vizion të saktë se si mund dhe dëshironte të më përdorte në skuadër.

Kjo, së bashku me strukturën e grupit, më bindi plotësisht, – pranoi Wirtz. – Më shihte në rolin e numrit 10, rol ku jap më shumë. Jam blerë për të luajtur aty, sepse kishin besim tek unë për ta përmirësuar skuadrën. Po mundohem të jem në lartësinë e këtij besimi, në mënyrën më të mirë të mundshme”.

The post Bayern Munich? Jo, faleminderit! Liverpool-i më i mirë për Wirtz: “Slot më bindi që në takimin e parë” appeared first on Telesport.