Bayern Munich, dramë për Ulreich: Portieri gjerman njofton ndarjen nga jeta të djalit të tij 6-vjeçar

Një tjetër lajm tragjik godet botën e futbollit, pas vdekjeve të parakohshme të fëmijëve të futbollistit të Barit, Verreth, dhe ish-portierit të Romës, Julio Sergio. Kësaj here është Sven Ulreich, portieri i Bayern Munich dhe zëvendësi i Manuel Neuer, që ka ndarë me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të djalit të tij të vogël, Len, vetëm 6 vjeç, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë.

Ja mesazhi prekës i Ulreich në rrjete sociale: “Me trishtim të thellë njoftojmë sot se djali ynë, Len, ndërroi jetë disa javë më parë, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë. Ta bënim këtë histori publike është një vendim jashtëzakonisht i vështirë për ne, por një hap i rëndësishëm si familje për të qenë të qartë me ata që na rrethojnë dhe me publikun.

Së bashku me vajzën tonë po përpiqemi të rifillojmë rrugën e jetës, hap pas hapi. Falënderim i veçantë për familjet tona, miqtë tanë dhe FC Bayern për diskrecionin dhe mbështetjen e madhe gjatë këtyre muajve. Kjo do të thotë shumë për ne.

I lutemi publikut dhe përfaqësuesve të medias të respektojnë privatësinë tonë. Ju kërkojmë me mirëkuptim të mos bëni pyetje të mëtejshme apo të publikoni deklarata të tjera”.

 

The post Bayern Munich, dramë për Ulreich: Portieri gjerman njofton ndarjen nga jeta të djalit të tij 6-vjeçar appeared first on Telesport.