Bayern fiton me përmbysje spektakolare ndaj Leipzig, shqetëson Kimmich. Olise fantastik. Musiala rikthehet me asist (video)

Bayern Munich fiton 1-5 në transfertën ndaj Leipzig në “Red Bull Arena”, e vlefshme për javën e 18-të në Bundesligë. Ndeshja filloi me një ceremoni nderim për Kevin Kampl, i cili pak ditë më parë njoftoi tërheqjen nga futbolli.

Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Leipzig. Romulo Cardoso kaloi në avantazh vendasit pas një aksioni të bukur dhe asistit të David Raum, në minutën e 20-të.

Bavarezët e nisin pjesën e dytë me një zëvendësim të detyruar, Joshua Kimmich lë fushën e lojës dhe në vend të tij futet Leon Goretzka. Në vijim pritet të mësohet më shumë për dëmtimin e Kimmich. Në 45 minutat e dyta ndodhi përmbysja e madhe e bavarezëve.

Në minutën e 50-të, Serge Gnabry barazon shifrat pasi gjeti golin pas një asisti të bukur të Dayot Upamecano. Në minutën e 67-të, Michael Olise asiston, Harry Kane duke përfituar nga një mungesë vëmendjeje e mbrojtësit vendas, dërgon topin në rrjetë. 10 minutat e fundit të kohës së rregullt ishin spektakël më vete, ku Bayern shënoi edhe 3 gola të tjerë.

Në minutën e 83-të ishte Jonathan Tah që vulosi fitoren me golin e tij, pas asistit të Michael Olise, i dyti asist për francezin në këtë ndeshje. Olise kroson në zonë, Tah shënon me kokë. Dy minuta më pas ishte radha e Aleksandar Pavlovic për të shënuar, sërish asist i Olise.

Në minutën e 88-të, i rikthyeri Jama Musiala, pas dëmtimit që e la jashtë fushës për një kohë të gjatë, bëhet direkt protagonist, duke asistuar për Olise, francezi gjen rrjetën, pas 3 asisteve që dha.

Pas kësja fitoreje, Bayern Munich kryeson me 50 pikë, 11 më shumë se Dortmund i vendit të dytë. Leipzig mbetet në vendin e 4-të me 32 pikë.

SHIKOGOLAT

The post Bayern fiton me përmbysje spektakolare ndaj Leipzig, shqetëson Kimmich. Olise fantastik. Musiala rikthehet me asist (video) appeared first on Telesport.