Baton Haxhiu: Brezi i ri në RMV po paguan fajet e politikës shqiptare, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët atje

Analisti Baton Haxhiu, në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN TV, duke iu drejtuar Mevlan Ademit, organizatorit të protestës së sotme studentore në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe në dhënien e provimeve të Juridikut, shprehu keqardhjen që brezi i sotëm duhet të përballet me këto probleme që duheshin zgjidhur nga klasa politike shqiptare para shumë vitesh.

“Më vjen keq si gjeneratë që të ka rënë mbi supe të protestosh për një gjë elementare, por është faji i gjeneratave politike që nuk e kanë rregulluar të qenurit shqiptar në Kushtetutë. Duhet ta filloni jetën si në 1991 dhe më vjen keq që Mickovski me nacionalizmin e tij pragmatik e ka fragmentarizuar politikën shqiptare realisht fajin për këtë e kanë partitë shqiptare, dy shtetet Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë atë që shtetet përrreth bëjnë për grupet e tyre etnike.

Ali Ahmeti e ka projektuar idenë e fuqisë me armë, por i ka patur të gjitha mundësitë që t’i bëjë me ligj. Ato ligje për gjuhën janë për grupe deri në 20 për qind dhe është turp që të përcaktohet për shqiptarët që janë mbi 25 për qind.

Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë e dobët për grupet etnike sepse ka qenë pragmatike për rrugën evropiane dhe ju ta mbartni barrën kryesore në kërkimin e të drejtave dhe ju kanë fragmentuar. Kosova e ka bërë më të keqe.

Meqë Ali Ahmeti ka qenë i konsumuar si lider dhe me plot faje brenda viteve të fundit, Kosova e ndërtoi rrëfimin bashkë me Mickovskin me një gjeneratë politike që e ka bazën në Iran, në Turqi dhe në Arabinë Saudite. E krijoi projektin politik islam, i ndihmoi atij dhe atyre që kanë patur një prapavijë jugosllave dhe krijoi një grup pa bosht, pa fytyrë shqiptare, por me fjalor shqiptar.

Në Shqipëri dhe Kosovë ka shumë pak njerëz që njohin problemin e Maqedonisë. Mund të flasim fjali retorike, por esenca e problemit është serioze. E para, shqiptarët e Maqedonisë e kanë ruajtur identitetin përmes fesë. E dyta, esencën e problemit e kanë në arsim, kulturë dhe në të gjithë elementët që bëjnë me mirëqenien. Domethënë, i gjithë buxheti i shtetit të Maqedonisë është diskriminues për komunat shqiptare edhe pse shqiptarët kontribuojnë shumë në buxhet. Dy shtetet Kosova dhe Shqipëria më shumë bëjnë problem, sesa krijojnë hapësirë për të ndihmuar.

Konfliktet, Maqedonia është zona për të mbrojtur konfliktet e të gjithë shteteve të Ballkanit. Kam përshtypjen që Shqipëria dhe Kosova duhet të mësojnë më shumë për Maqedoninë. Ministritë e jashtme atje dhe këtu kanë interesimin më të vogël të mundshëm”- tha Haxhiu.