Bastoni në shtesë, pas Espositos. Fitorja 2-0 e kualifikon Interin si i pari i grupit në 1/8 finale

Interi është kualifikuar për në 1/8 finale të Kupës së Botës për Klube. Me fitoren 2-0 ndaj River Plate, zikaltrit e mbyllin grupin në vendin e parë. Ky kompeticion deri tani është shoqëruar nga temperaturat e larta. Në “Lumen Field” të Seattle, nxehtësia ndihej jo vetëm fizikisht, por edhe për shkak të atmosferës së zjarrtë që krijuan tifozët e River Plate, pothuajse si një kundërshtar shtesë për Interin e drejtuar nga Chivu.

Megjithatë, temperatura faktike ishte e këndshme dhe ndeshja nisi me ritëm e intensitet. Asllani provoi i pari të thyente baraspeshën, ndërsa më pas ishte Mastantuono, rreziku kryesor i argjentinasve, që testoi Sommer me një goditje të rrezikshme. Me kalimin e minutave River Plate fitoi terren dhe e detyroi Interin të tërhiqej.

Pas gjysmës së pjesës së parë erdhi rasti më i madh për gol për Interin, i ndërtuar nga Barella për Pio Esposito, por Martinez Quarta, ish-lojtari i Fiorentinës, bëri ndërhyrje vendimtare. Qendërsulmuesi i ri ishte protagonist edhe në një tjetër tentativë, por më pak e qartë, para se skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 0-0.

Parashikimet për pjesën e dytë (me Monterrey në avantazh 3-0 ndaj Urawa Reds në ndeshjen tjetër të grupit) nënkuptonin një River Plate të gatshëm për të sulmuar që në fillim, por Interi duket se e kuptoi mësimin nga pjesa e parë dhe shfrytëzoi hapësirat që lanë “millonarios” për të goditur, sidomos me Lautaro Martinez.

Kapiteni zikaltër provoi tri herë në 15 minutat e para të pjesës së dytë. Goditja e parë u ndal nga shtylla, në të dytën u ndal mrekullisht nga portieri Armani, dhe e treta përfundoi mbi traversë. River reagoi dhe rrezikoi me Colidion, por goditja me kokë e tij ishte e dobët dhe në qendër, e lehtë për Sommer.

Në mesin e pjesës së dytë ndodhi momenti kyç për Interin. Një gabim i dyfishtë i Martinez Quarta, i cili fillimisht gaboi kontrollin e topit dhe më pas ndaloi me faull Mkhitaryan, që ishte nisur i vetëm drejt portës.

Karton i kuq i drejtëpërdrejtë. Interi përfitoi menjëherë nga epërsia numerike dhe e shndërroi në rezultat konkret. Inkursion i bukur i Sucic, i sapo futur në fushë, dhe pasimi për Pio Espositon në zonë. Bomberi i ri ishte i pamëshirshëm, simuloi goditjen e parë dhe realizoi me të dytën për 1-0. Lëvizja e Chivu dha fryte.

Pasi kaloi në avantazh, Interi e kontrolloi ndeshjen me qetësi dhe në minutën e dytë shtesë gjeti golin e dytë. Një realizim fantastik nga Bastoni, me dy driblime dhe një goditje të fuqishme me të majtën, që mposhti Armanin. Pas golit të dytë, River Plate humbi toruan dhe ndeshja u tensionua, me Acuna që do të përplasej me Dumfries.

Me fitoren 3-0 të Monterrey ndaj Urawa Reds, të konfirmuar në ndeshjen tjetër, “millonarios” eliminohen, ndërsa Interi feston kalimin në 1/8 finale si i pari në grup. Pas fishkëllimës së fundit, tensioni në fushë nuk mungoi, me trajnerin Chivu që ndërhyri personalisht për të qetësuar Dumfries.

Kujtojmë se Kristjan Asllani luajti me kohë të plotë në këtë ndeshje, duke bërë paraqitje mjaft pozitive. Mesfushori shqiptar, në mungesë të Calhanoglu, me probleme lëndimi, po luan rregullisht në SHBA, duke fituar “pikë” në sytë e trajnerit të ri, Chivu.

The post Bastoni në shtesë, pas Espositos. Fitorja 2-0 e kualifikon Interin si i pari i grupit në 1/8 finale appeared first on Telesport.