Bastisjet e Speciales në shtëpitë e ish-këshilltarve të Thaçit, reagon Behramaj

Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka reaguar ndaj bastisjeve që Specialja po i bën në shtëpitë e ish-këshilltarëve të ish-presidentit.

Behramaj në reagimin e tij thotë se Specialja po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë e tyre.

“Stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona. Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut”, thotë ai.

Tutje, ai ka shkruar se “nëse sjellja e kësaj prokurorie është reflektim i vlerave perëndimore për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë është tejet e dhimbshme ku qenkan katandisur këto vlera”.

“Në të kundërtën, kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë”, theksoi ai.

Specialja kishte bastisur edhe shtëpinë e Behramajt para disa muajsh.

Ndërkaq, të hënën dhe të martën, Specialja ka realizuar disa bastisje në shtëpitë e ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

https://www.facebook.com/adil.behramaj/posts/10160978223026670?ref=embed_post

Related Posts