Bashkimi fiton me përmbysje ndaj Pejës dhe ruan vendin e parë

Bashkimi shënoi fitore shumë të rëndësishme me përmbysje ndaj Pejës me rezultat 75:72 (17:21, 20:23, 21:18, 17:10), në javën e 28-të të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.

Me këtë fitore, prizrenasit ruajtën pozitën e parë në renditje para garave shtesë.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke krijuar epërsi deri në 11 pikë në çerekun e parë, 8:19, por prizrenasit nuk u dorëzuan dhe arritën të ngushtojnë shifrat në 17:21, sa përfundoi kjo pjesë.

Edhe në periudhën e dytë verdhezinjtë u shkëputën, deri në 16 pikë epërsi, 28:44, por sërish Portokallezinjtë u rikthyen, për të afruar rezultatin në 37:44, sa përfundoi pjesa e parë.

Prizrenasit në periudhën e tretë arritën të rikthejnë epërsinë në 49:46, por më pas pejanët hyn në një seri të suksesshme, për të kaluar sërish në epërsi, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 58:62.

Drama ndodhi në dhjetë minutat e fundit, përkatësisht çastet e fundit, ku prizrenasit sërish rikthyen epërsinë në të mirë të tyre dhe arritën të triumfojnë 75:72.

Lejson Zeqiri ishte më i miri te vendasit me 22 pikë e gjashtë kërcime, kurse te mysafirët Amin Hot me 17 pikë.

Bashkimi përfundon garat e rregullta në pozitën e parë me 20 pikë e tetë kërcime, ndërsa Peja e pesta me 14 fitore e 14 humbje.