Bashës i rikujtohet nga ambasadorët: Kushtetuta dhe Kuvendi duhet të respektohen

Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, kanë filluar t`i shkojnë në zyre edhe ambasadorët e vendeve mike të Kosovës. Përveç urimeve, mysafirët perëndimorë ia kanë rikujtuar kryeparlamentarit të ri respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e plotë të Kuvendit. Ndonëse Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendit, mysafirët i kanë treguar se seanca konstituive nuk ka përfunduar.

Një gjë të tillë ia ka rikujtuar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, gjatë takimit që e ka pasur dje.

Diplomati evropian ka treguar se me kryeparlamentarin Basha ka biseduar për respektim të proceseve kushtetuese, të cilat sigurojnë institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike.

Në llogarinë e tij në “X”, diplomati evropian ka vlerësuar se formimi i qeverisë së re është kyç për Kosovën.

“U takova sot me Kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Diskutuam për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese dhe për të siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike. BE është këtu për të mbështetur Kosovën – formimi i Qeverisë dhe komisioneve të Kuvendit është kyç për të ecur përpara me Planin e Rritjes”, ka thënë ai.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ia ka përsëritur Bashës rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që është e mundur.

Pas takimit me Bashën, në profilin e tij në “Facebook”, Hargreaves, ka shkruar se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet në përputhje më aktgjykimi e Gjykatës Kushtetuese.

“Sot takova kryetarin e ri të kuvendit, Dimal Basha, për ta uruar për zgjedhjen e tij. Ne u pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që është e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Shpresonim që situata të zgjidhej shpejt për t’i lejuar Kuvendit dhe një qeverie të re të vazhdojnë me punën e tyre jetësore në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu biseduam për rëndësinë e konsultimit kuptimplotë me komunitetin serb të Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë e Kosovës dhe ramë dakord për një vizion të ardhshëm të një Kosove me mundësi për të gjithë.”, ka shkruar diplomati britanik.

Shqetësime të njëjta ka shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ende nuk e ka takuar kryeparlamentarin Basha.

Diplomati gjerman shqetësimet e tij i ka shprehur pas një takimi që ka pasur me presidenten Vjosa Osmani.

Në platformën X, diplomati gjerman ka shkruar se me Osmani ka folur edhe për kritikat e pushtetit ndaj gjyqësori.

“Falënderoj zonjën Presidente për diskutimin e mirë. Në takim shpreha shqetësimin për ngërçin politik e institucional, si dhe diskursin publik që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, zhvillime këto që rrezikojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, ka shkruar Rohde.

Ndonëse nuk janë zgjedhur të gjithë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari, Dimal Basha, javën e kaluar e ka shpallur të konstituar Kuvendin.