Basha si Kryemadhi pranon ‘fajin’: Edhe PD përgjegjëse (video)

Retorika politike e dy krerëve të partive më të mëdha opozitare, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha ka ndryshuar. Në takimin që pati me maturantë, Kryemadhi bëri hapa pas duke kërkuar falje e duke thënë se edhe LSI-së është shkaktare për krizën në arsimin publik.

Njëjtë ka bërë sot edhe kryetari i PD, Lulzim Basha teksa ishte në inaugurimin e memorialit të viktimave të komunizmit në qytetin e Shkodrës. Në fjalën e tij, Basha ka pranuar “fajin” duke thënë se PD-ja po aq sa ka meritë, aq ka edhe përgjegjësi për shlyerjen e borxhit, jo vetëm financiar, të të përndjekurve politik.

” Jam i vetëdijshëm që gjithçka që është arritur me borxhin e pashlyeshëm të përndjekurve politikë është meritë e partisë Demokratike dhe asgjë që nuk është arritur është përgjegjësi e PD. Zotimi është i imi dhe i PD për ta çuar deri në fund. Një nga çështjet që duhet të na bashkonte, por diçka na pengon. Na pengon edhe këto ditë, kur bëhemi gati për përkujtojmë Spaçin, por për shkak të falsifikimit brutal të historisë. Në sulmet denigruese ndaj atyre që guxojnë të zbardhin të vërtetë mbi këto krime, Agron Tufën. Na pengon diçka më e madhe se kaq, triumfi i vesit mbi vlerat. Hedh një hap pas nga retorika politike që është e nxehur tej mase, se edhe kriza politike është tej mase e nxehur që kërkon zgjedhje dhe zgjidhje”, u shpreh Basha./Report TV/