Drejtuesi politik i koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka vlerësuar se Kosova duhet të bëjë gjithçka për anëtarësim në NATO në rrethanat e krijuara pas zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Basha ka thënë se anëtarësimi në NATO për Kosovën do të zgjidhte çështjen e sovranitetit dhe integritetit të saj.
“Kemi një shans të jashtëzakonshëm, me anëtarësimin e Kosovës në NATO, t’i japi fund njëherë e përgjithmonë çështjes së integriteti territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës në cdo cep të territorit të saj”, ka thënë Basha në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të relativizonte çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Që kjo të ndodhë, Kosova duhet të jetë e përgatitur të bëjë hapa të caktuar në raport që i takojnë një vendi me angazhimet për anëtarësim në NATO. Zgjidhja e kësaj çështje duke marrë përsipër edhe koklavitjen edhe mosnjohjen e katër vendeve anëtare të NATO-s ka një rrugë nëse ka vullnet, relativizonte ose fut në një tjetër dimension çështjet e tilla si të drejtat e minoritetit serb në raport me Asociacion e komunave të tyre. Momentin që ke zgjedhur çështjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror mbi çdo cep, çështjet e tilla marrin një tjetër dimension dhe në këtë mënyrë mendoj se mund të thyhet impasi i krijuar për shkak të Beogradit që nga viti 2013”, ka thënë Basha.
Ai ka thënë se Kosovës sa i përket demokracisë është shembull për shtetet tjera në Ballkanin Perëndimor.
“Duke marrë parasysh zgjedhje jo vetëm të fundit, duhet t’iu thamë se Kosova është leksion demokracie për autokratët e Ballkanit. Është Ballkan, ka problemet e veta, por zemra më bëhet mal që një shtet që ka vetëm një dekadë e gjysmë pavarësi arrin t’u jap leksion, Beogradit po se po, por edhe Sarajevës, Shkupit, Podgoricës edhe Tiranës, kur vjen puna të themeli i demokracisë që janë organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe moskontestimi i rezultatit të dal nga zgjedhjet”, ka thënë ai.