Një video që duket të jetë promocionale për barin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, shfaq gra të veshura me helmeta motoçiklistësh, teksa mbajnë shishe alkooli me fishekzjarrë të vendosur sipër, duke ecur brenda lokalit.
Videoja, e publikuar në YouTube në maj të vitit 2024 nga llogaria @ConstellationCransMontana, mban përshkrimin: “Le Constellation Crans-Montana ju mirëpret çdo ditë nga ora 09:00 deri në 02:00, 365 ditë në vit, pa ndërprerje”.
Pas zjarrit vdekjeprurës të së enjtes, dy dëshmitarë i thanë mediumit BFMTV, partner i CNN-it, se incidenti shkatërrues ishte shkaktuar nga fishekzjarrët e vendosur në shishet e shampanjës.
“Ka pasur kamariere që mbanin shishe shampanje me fishekzjarrë mbi to dhe i afronin pranë tavanit, çka bëri që ai të merrte flakë”, tha një dëshmitar okular, transmeton Klankosova.tv.
“Një kamariere qëndronte mbi shpatullat e një kamarieri tjetër, dhe shishja me flakët ishte vetëm disa centimetra larg tavanit”, shtoi një tjetër person i pranishëm.
Autoritetet njoftuan të enjten në mbrëmje se është ende herët për të përcaktuar saktësisht shkakun e zjarrit dhe se hetimet do të marrin kohë.
E pyetur nga një gazetar gjatë një konference për media për origjinën e zjarrit, Prokurorja e Kantonit Valais, Beatrice Pilloud, tha se nuk mund të komentojë raportimet sipas të cilave një fishekzjarr ishte burimi i ndezjes dhe se është ende herët për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi saktësisht zjarrin.
Deri më tani, të konfirmuar sipas autoriteteve zvicerane, janë të paktën 47 viktima dhe mbi 100 të lënduar që po trajtohen nëpër spitale.














