Komandanti i misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se, pavarësisht bllokadës politike që po vazhdon në Kosovë, KFOR-i nuk është i shqetësuar për ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj sigurisë dhe mbetet plotësisht i përgatitur për t’u përballur me çdo përpjekje për destabilizim.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Barduani theksoi se periudhat zgjedhore mund të krijojnë hapësirë për aktorë të jashtëm me qëllime të këqija, por se KFOR-i e sheh situatën aktuale në Kosovë si pjesë të proceseve normale demokratike.
“KFOR-i nuk është i shqetësuar”, tha ai. “Jemi të pajisur mirë dhe të pozicionuar për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë.”
Më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova nuk ka arritur ende t’i formojë institucionet e reja.
Njëmbëdhjetë përpjekje për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dështuan, ndërsa në këtë situatë nuk mund të vazhdohet ende me formimin e Qeverisë.
Duke folur për peizazhin më të gjerë të sigurisë, Barduani kujtoi dy incidente të mëdha në veri të Kosovës — sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, dhe sulmin në kanalin ujor Ibër-Lepenc, në nëntor të 2024-tës.
Ai theksoi reagimin e shpejtë të NATO-s ndaj dhunës së vitit 2023, kur u vendosën edhe 1.000 trupa shtesë për ta forcuar praninë e KFOR-it, veçanërisht në veri.
“Situata mbetet e qetë, por e ndjeshme ndaj përshkallëzimit të papritur”, paralajmëroi Barduani, duke përmendur si shkak çështjet e pazgjidhura për shkak të mungesës së përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, institucionet e Kosovës akuzuan Serbinë si fajtore për incidentin, por kjo e fundit mohoi se ka gisht në këtë rast.
I pyetur për rrezikun e sulmeve të ardhshme, Barduani shmangu spekulimet, por theksoi gatishmërinë e vazhdueshme të KFOR-it. “Ne ruajmë një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën, dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse është e nevojshme”, tha ai.
Komandanti i KFOR-it vuri theks të veçantë në bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Ne zhvillojmë patrullime të përbashkëta, ushtrime stërvitore, dhe mbajmë kontakte të vazhdueshme”, theksoi ai, duke shtuar se komunikimi i shpejtë nga Policia e Kosovës gjatë operacioneve në veri është thelbësor për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimet e panevojshme.
Marrëdhëniet me Forcat e Armatosura të Serbisë u përshkruan si të qëndrueshme dhe transparente. Barduani konfirmoi takime të rregullta dhe komunikimin e vazhdueshëm me udhëheqjen ushtarake serbe për të siguruar vëzhgimin e aktiviteteve pranë vijës kufitare administrative.
“Kemi çdo arsye për të pritur bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha ai, duke përmendur patrullimet e sinkronizuara dhe monitorimin e përbashkët si mjete kyç për parandalimin e kontrabandës dhe forcimin e stabilitetit.
Pavarësisht pranisë së fuqishme ushtarake, Barduani përsëriti se paqja në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihet vetëm me mjete ushtarake.
“KFOR-i dhe NATO-ja mund të bëjnë vetëm atë që është e mundur ushtarakisht. Zgjidhja afatgjatë është politike”, theksoi ai, duke shprehur mbështetjen e plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai mirëpriti emërimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, me të cilin tashmë ka zhvilluar takime, duke konfirmuar mbështetjen e KFOR-it për përpjekjet diplomatike.
“Për ta çuar përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen te përfitimet afatgjata”, tha Barduani.
Duke folur për të ardhmen, Barduani vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të vendit.
“I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të ketë qasje në zonën euroatlantike si pjesë e Evropës”, deklaroi ai.
“Çelësi për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon është vullneti i të gjithë aktorëve për të përqafuar diplomacinë, për të refuzuar dhunën dhe për të punuar për kompromise”, përfundoi Barduani. /REL