Barduani: Hapja e urës në Mitrovicë-çështje politike, zgjidhja në dialog

Komandati i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, tha se mbyllja e urës në Mitrovicë është politike dhe vendimi për të duhet të merret përmes dialogut në Bruksel. Gjenerali Barduani në intervistën për RTV21, në fund të mandatit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, flet edhe për zhvillimet e siguriusë në pjesën veriore të Kosovës dhe angazhimet e forcës paqeruajtëse në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

Gjeneral Barduani tha se Serbia i ka të qarta “vijat e kuqe” në Kosovë të cilat sipas tij janë të përcvaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit ttë OKB-së. Ai e bëri të qartë se kryesit e sulmit në Banjskë dhe mbi forcat e KFOR-it në 2023 duhe ttë sillen përpara drejtësisë. “…fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Edhe gjatë mandatit tim, e di gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë në siguri nga ngërçi aktual në dialog, nuk mund ta përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie”, tha në intervistën me RTV21, komandanti i KFOR-it gjenerali Enrico Barduani.

Barduani për RTV21: Hapja e urës në Mitrovicë-çështje politike, zgjidhja në dialog!

RTV21: Gjeneral, ju e morët mandatin në një kohë tensionesh në veri. Një vit më pas nuk ka ndryshuar shumë përveç mosmarrëveshjeve rreth urës mbi lumin Ibër që kohët e fundit disi janë “qetësuar”. Nga kjo perspektivë sot çka e ka bërë rolin e KFOR-it të vështirë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare?

Gjeneral Barduani: Pa dyshim Kosova prej kohësh është karakterizuar nga sfida komplekse dhe të ndërlidhura, pasojat e të cilave ndjehen në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mes këtyre sfidave të pazgjidhura çështjet politike janë pa dyshim më urgjentet, pasi pengojnë procesin e normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe prekin sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Prandaj KFOR-i ruan një prani vigjilente dhe fleksibile në gjithë Kosovën, i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur shpejt çdo zhvillimi përkatës që mund të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe sigurinë lokale. Ne e bëjmë këtë në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe veçanërisht në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, në rolet e tyre përkatëse, si ofrues të sigurisë. Përmes pranisë sonë dhe aktiviteteve të përditshme ne gjithashtu synojmë të ruajmë një kornizë sigurie në mbështetje të përpjekjeve diplomatike që janë në vazhdim e sipër dhe të rëndësishme.

RTV21: Në përgjithësi, ka dy perspektiva për urën mbi lumin Ibër. E para: se ajo ndan Kosovën në dy pjesë. Dhe tjetra se është një urë mbrojtëse. Ju erdhët dhe ura ishte e mbyllur. Po largoheni dhe ura është ende e mbyllur.  Pra, a ka mbetur problemi aty ende?

Gjenerali Barduani: Mund të shtoj edhe këtë: edhe gjatë shërbimit tim të mëparshëm në Kosovë në vitin 2001 dhe 2015, ura ishte e mbyllur për qarkullimin. Dhe për mua, kjo do të thotë se mbyllja e asaj ure nuk është vetëm çështje sigurie, por kryesisht është politike në natyrën e saj. Për ta sqaruar qëndrimin e NATO-s mbi këtë temë, mund të them se ishte, ka qenë e qartë, e vazhdueshme, konsistente dhe transparente gjatë gjithë kohës: vendimi për urën mbi Ibër në Mitrovicë duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetet lokale, si dhe me komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, KFOR-i ruan dhe do të vazhdojë ta ruajë, derisa të marrë një direktivë tjetër, praninë e tij fikse mbi urë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth derisa të gjendet një zgjidhje politike.

RTV21: Gjeneral, gjithë vëmendja është, natyrshëm, e përqendruar në veriun e Kosovës, KFOR ka rritur praninë e tij. Por po citoj një deklaratë tuajën ku thatë se: “situata mbetet e qetë por e ndjeshme ndaj një përshkallëzimi të papritur”. Nga kush keni frikë se mund ta përshkallëzojë situatën papritur?

Gjeneral Barduani: Më lejoni ta theksoj këtë. Fatkeqësisht, e kaluara, por edhe ngjarjet e fundit ofrojnë disa shembuj të kësaj përplasjeje. Mund të përmend përdorimin e shpeshtë të retorikës nxitëse. Veprimet e shumta të njëanshme, ngjarja në Banjskë në vitin 2023 dhe shpërthimi që afektoi kanalin ujor Ibër–Lepenc në nëntor 2024. Prania e KFOR-it ka qenë edhe më e rëndësishme në këto rrethana sfiduese, duke ndihmuar të ruhet stabiliteti, të parandalohet përshkallëzimi përmes parandalimit dhe qetësimit të situatave që mund të kishin çuar në incidente. Duke e bërë këtë, e konsideroj veçanërisht të rëndësishme ruajtjen e një komunikimi të vazhdueshëm dhe transparent me të gjithë homologët e mi, përfshirë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe forcat e armatosura serbe për të forcuar ndërgjegjësimin e ndërsjellë mbi situatën, për të shmangur keqkuptimet dhe në këtë mënyrë të zvogëlohet rreziku i përshkallëzimit.

Barduani: Beogradi të respektojë detyrimet nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së

RTV21: Gjeneral, forcat e policisë së Kosovës janë atje, KFOR-i është atje, EULEX-i, gjithashtu është atje. Megjithatë, shqetësimet në opinionin publik në Kosovë janë për një përshkallëzim të mëtejshëm nga, siç thonë, prirjet e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën. A janë të bazuara këto deklarata nga Prishtina në fakte?

Gjeneral Barduani: Si profesionist ushtarak, unë preferoj të mbështetem në fakte. Roli im nuk më lejon të jap ndonjë spekulim personal. Ajo që mund të them është se Serbia është faktor relevant në rajon dhe ne si NATO presim që Beogradi të vazhdojë të respektojë plotësisht detyrimet e tij nën mandatin e  Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999 dhe marrëveshjes teknike ushtarake, të bashkangjitur. Dhe në këtë mënyrë, ne presim që Beogradi të luajë një rol konstruktiv në rajon. Nga perspektiva jonë, ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën, të ruajmë një prani të dukshme dhe fleksibile në gjithë Kosovën dhe të bashkëpunojmë me organizatën e sigurisë së Kosovës dhe forcat e armatosura serbe. Sa i përket Serbisë, më lejoni të theksoj se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe forcave të armatosura serbe është shumë profesional dhe në një nivel të shkëlqyer, ashtu si kontaktet e mia të rregullta me Shefin e Mbrojtjes së Serbisë, Gjeneral Mojsiloviç. Edhe një herë, mendoj se këto përpjekje janë kyçe për të ruajtur stabilitetin rajonal.

Barduani: Beogradi i di “vijat e kuqe” në Kosovë!

RTV21: A ia keni bërë të qartë ushtrisë serbe dhe autoriteteve shtetërore cilat janë vijat e kuqe në Kosovë, në takimet tuaja me ta?

Gjeneral Barduani: Po. Më lejoni të theksoj se vijat e kuqe që ju përmendni janë ato të përcaktuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me një referencë të veçantë për marrëdhënien mes KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe. Ato janë të shkruara në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar nga NATO dhe Serbia në 1999. Mund të shtoj se misioni ynë mbetet i përqendruar në kontributin për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo është një përparësia kryesore e KFOR-it. Sigurisht, njësitë tona janë të pranishme në terren me objektivin kryesor të parandalojnë çdo rrezik të madh të eskalimit. Por nëse është e nevojshme, jemi gati të reagojmë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në përputhje me mandatin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne kemi dëshmuar në mënyrë të përsëritur se mund të ofrojmë në këtë drejtim. Forcat e armatosura serbe dhe të gjithë aktorët me të cilët bashkëpunojmë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Vetëm për t’ju ofruar informacione të plota në këtë çështje, bazuar në procedurat ekzistuese që dalin nga marrëveshja teknike ushtarake, Serbia ka detyrimin e qartë të njoftojë përherë KFOR-in për çdo zhvillim të tyre dhe aktivitet operacional pranë vijës kufitare administrative brenda zonës tampon pesë kilometërshe që e quajmë ish-zona e sigurisë tokësore. Kjo ndihmon të parandalohet keqkuptimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Në përgjithësi, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive dhe jam i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit profesional që KFOR-i ka zhvilluar në këtë drejtim.

RTV21: Për të qenë shumë i qartë, gjeneral: KFOR-i ka trupat e tij në Kosovë, veçanërisht në veri. Autoritetet kosovare po flasin për përqendrimin e trupave serbe në kufi me Kosovën. Nëse kjo është e saktë, atëherë cili është niveli i gatishmërisë së KFOR-it për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm?

Gjeneral Barduani:  Pra, së pari, siç thashë, forcat e armatosura serbe duhet të deklarojnë praninë e tyre dhe aktivitetet në këtë kufi administrativ të NATO-s përpara kohe dhe ata gjithmonë kanë respektuar këtë detyrim. Në këtë kuptim, mund të dëshmoj se gjatë mandatit tim, nuk kemi vërejtur ndryshime të dukshme të rëndësishme në praninë dhe qëndrimin e tyre. Së dyti, KFOR-i mban një prani të fortë dhe të dukshme në zonë. Ne vazhdimisht e monitorojmë këtë situatë përmes një game të gjerë aktivitetesh, përfshirë patrullime të rregullta, vëzhgime, gjithashtu zbulime tokësore dhe ajrore dhe kontakte me civilë. Këto masa na lejojnë të ruajmë një njohje të saktë të situatës dhe të identifikojmë menjëherë çdo situatë jonormale ose zhvillim që mund të rrezikojë stabilitetin. Në të njëjtën kohë, siç përmenda, ne mbajmë kontakte të rregullta me forcat e armatosura serbe, sepse komunikimi gjithmonë ndihmon për të parandaluar keqkuptime dhe për të ruajtur stabilitetin. Transparenca, komunikimi dhe bashkëpunimi janë mënyrat më efektive për të parandaluar çdo rrezik eskalimi.

RTV21: Gjeneral, ka pasur shumë diskutime dhe debate në Kosovë pse KFOR-i ia ka kufizuar Forcës së Sigurisë së Kosovës qasjen në veri të Kosovës. Ju po kërkoni koordinim paraprak me FSK-në, por në disa situata, a nuk do të ndihmonte kjo forcë të rritej siguria, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës?

Gjeneral Barduani: Faleminderit për pyetjen tuaj sepse më jep mundësinë ta sqaroj këtë çështje. Në përputhje me angazhimet ekzistuese të pranuara nga autoritetet e institucioneve në Kosovë me NATO-n në vitin 2013 FSK-ja mund të dislokohet në veriun e Kosovës vetëm me miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it. Si Komandant i KFOR-it, e përshëndes respektimin e vazhdueshëm nga FSK për këtë angazhim, që së fundi është rikonfirmuar me shkrim nga institucionet e Kosovës për këtë çështje. Sa i përket mundësisë për të rritur sigurinë në veri, mund t’ju siguroj se KFOR-i është i pajisur mirë dhe i pozicionuar për të vepruar vetë. Megjithatë, marrëdhëniet mes KFOR-it dhe FSK-së janë me rëndësi të jashtëzakonshme, siç u dëshmua së fundi kur FSK-ja dërgoi ekipin e kërkim-shpëtimit në Liqenin e Gazivodës nën autorizimin dhe kontrollin e KFOR-it. Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi mes KFOR-it dhe FSK-së po vazhdon rregullisht në përputhje të plotë me mandatin rajonal dhe gjithashtu me përfshirjen e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s që është një element tjetër i rëndësishëm dhe i pranishëm në Kosovë. Për shembull, këtë vit kemi zhvilluar një stërvitje, të quajtur Golden Sabre, në të cilën mori pjesë një numër i mjaftueshëm i personelit të FSK-së të ngarkuar me asgjësimin e materialeve toksike dhe pastrimin e municioneve shpërthyese, të dyja kapacitete shumë të rëndësishme në kontekstin aktual. Dua gjithashtu të veçoj me referencë të veçantë asgjësimin e materialeve të rrezikshme që me mbështetjen e KFOR-it, FSK-ja ka operuar me sukses edhe në rrethana reale. dhe më shumë se një herë në muajt e fundit.

RTV21: Mirë. Por në këtë drejtim, më lejoni t’ju pyes: Kanë kaluar saktësisht dy vite nga ai sulm i Banjskës. Shumë çështje mbeten të hapura, veçanërisht lidhur me përfshirjen e Serbisë në këtë sulm. Pse është kaq e vështirë të përcaktohet çfarë ka ndodhur kur ka pasur viktima dhe kur ka prova për të? Kë e mbani përgjegjës?

Gjeneral Barduani: Së pari, më lejoni të theksoj se sulmi në Banjskë ashtu si edhe sulmi kundër trupave të KFOR-it në vitin 2023 janë të papranueshme dhe autorët duhet të identifikohen qartë dhe të sillen para drejtësisë. Nuk do të spekuloj apo të bëj akuza, por NATO ka bërë shumë të qartë se kjo nuk duhet të ndodhë më. NATO reagoi menjëherë ndaj një dhune të tillë të papranueshme. Dhe në fakt, ne vendosëm deri në 1000 trupa shtesë në Kosovë, duke i mundësuar KFOR-it të forcojë qëndrimin e tij dhe parandalojë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës dhe përgjatë vijës kufitare administrative. Dhe kjo përbënte rritjen më të madhe të personelit të KFOR-it në dhjetë vitet e fundit dhe siguronte që ne të vazhdonim të zbatonim me sukses mandatin tonë.

RTV21: Por nuk ishte vetëm sulmi në Banjskë që tronditi Kosovën. Pati edhe një sulm tjetër. Dhe ju e keni përmendur disa herë në këtë intervistë; në Ibër-Lepenc. Pra, kur i referoheni përshkallëzimit të papritur a keni frikë se ngjarje të tilla mund të ndodhin përsëri në Kosovë?

Gjeneral Barduani: Sa i përket një përshkallëzimit të mundshëm, siç thashë, KFOR mbetet i stërvitur mirë dhe vigjilent, gati të ndërhyjë dhe të ndalojë çdo kërcënim apo ngjarje që mund të komprometojë sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Këtë e demonstruam qartë në rastin që ju e përmendët kur KFOR-i menjëherë gjatë asaj nate siguroi zonën, duke vendosur më shumë se 250 ushtarë dhe ofroi mbështetjen e tij logjistike, kapacitetet inxhinierike dhe asgjësimin e eksplozivëve për institucionet në Kosovë. Më pas, në koordinim me autoritetet lokale përkatëse, ne arritëm të identifikonim infrastrukturë tjetër kritike në Kosovë që kishte nevojë për monitorim për të parandaluar incidente të ngjashme. Në këto raste, është e rëndësishme të shmanget retorika provokuese që krijon frikë dhe ushqen tensionet. Kjo është përgjegjësia e të gjithëve ne, dhe veçanërisht e aktorëve politikë.

Barduani: Mungesa e dialogut rrezikon të kthej çështjet politike në ato të sigurisë

RTV21: E përmendët dialogun në fillim të kësaj interviste. Ka kaluar një periudhë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar. Ju keni thënë disa herë se është e rëndësishme për të dy vendet. Sa e vështirësua kjo edhe aspektin e sigurisë në Kosovë?

Gjeneral Barduani: Është e pamohueshme që fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Edhe gjatë mandatit tim, e di gjithashtu se ndikimi i drejtpërdrejtë i sigurisë nga ngërçi aktual në dialog, nuk mund ta përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie. Duke e thënë këtë, si komandant i KFOR-it. nuk mund të mos e përsëris edhe një herë se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian mbetet vendimtar për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe për të mbrojtur sigurinë rajonale për të mirën e të gjitha komuniteteve. Siç u theksua, zgjidhja është në fund të fundit politike dhe jo ushtarake. Në këtë kontekst, KFOR mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur këtë proces në koordinim të ngushtë me aktorët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar të pranishëm këtu në Kosovë.

RTV21: Gjeneral, zgjedhjet në Kosovë ende nuk kanë prodhuar institucionet e Kosovës. Dhe sa ka ndikuar ky boshllëk institucional në siguri?

Gjeneral Barduani: Siç e theksuat, situata politike mund të ndikojë në sigurinë lokale. Dhe prandaj ne po i ndjekim nga afër zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt. Në këtë kuptim, KFOR do të vazhdojë të monitorojë çdo zhvillim të mundshëm të situatës, dhe në të njëjtën kohë, ne i bashkohemi komunitetit ndërkombëtar duke inkurajuar palët që seriozisht të ecin përpara.

RTV21: Më lejoni të kthehem përsëri në fillim. A është Kosova gati të bëhet pjesë e NATO-s, nga perspektiva juaj, gjeneral?

Gjeneral Barduani: Kjo pyetje në fakt është përtej mandatit tim, këtë pyetje do t’ia drejtoni udhëheqjes politike të NATO-s, pasi të gjitha vendimet, përfshirë ato që lidhen me anëtarësimin, merren me unanimitet nga aleatët.

RTV21: Gjeneral, ju po largoheni nga Kosova, dhe kjo është hera e tretë që nga fillimi i viteve 2000. Kësaj here ju ishit në krye të një force shumëkombëshe ndërkombëtare. Çka do të merrni me vete nga Kosova kësaj here?

Gjeneral Barduani: Më lejoni të theksoj se siç e kam përmendur në disa raste, Kosova është një vend me të cilin ndihem personalisht i lidhur. Karriera ime më ka sjellë këtu në Kosovë tre herë për një total prej dy vitesh e gjysmë të jetës sime. Dhe kthimi si komandant i KFOR-it ka qenë një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Ky rajon, më lejoni të them, është vërtet unik me shumë komunitete, tradita të pasura dhe dëshirë të fortë për të përparuar e përmirësuar. Ajo që do të marr me vete, mbi të gjitha, janë përshtypjet e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë. Kam parë, veçanërisht tek brezat e rinj, përkushtimin për ndërtimin e një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Në këtë drejtim, më lejoni të them se KFOR-i është i privilegjuar të kontribuojë në ndërtimin e asaj të ardhme të begatë përmes mbështetjes së tij për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Duke thënë këtë, do të doja të ndaja përshtypjen time personale të mbështetur në njëfarë mënyre nga familjariteti i fituar përmes detyrave të mia të mëparshme në KFOR. Mendoj se të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë ndajnë një dëshirë të vetme e të fortë për të jetuar në paqe, për të gëzuar stabilitet dhe për të ndërtuar mirëqenie, dhe rruga për të arritur këtë dëshirë nuk është ushtarake, por politike. Roli i KFOR-it është të përcaktojmë kornizën për një angazhim politik real dhe të sinqertë.

RTV21: Dhe të kthehem sërish tek tema: Duke marrë parasysh zhvillimet në botë, a mund të ketë një ristrukturim të forcës së NATO-s në Kosovë, marr parasysh faktin se ka pasur deklarata për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova?

Gjeneral Barduani: Së pari, Shtetet e Bashkuara qartë e kanë riafirmuar  përkushtimin e tyre ndaj aleancës dhe gjithashtu ndaj KFOR-it përmes kontributit të tyre afatgjatë, i cili aktualisht arrin rreth 600 ushtarë amerikanë. Prandaj, unë nuk shoh asnjë shenjë të tërheqjes nga SHBA. Së dyti, së fundmi kam ndarë vlerësimin tim mbi situatën e sigurisë dhe informacionet më të fundit mbi aktivitetet e KFOR-it aktivitetet e KFOR-it brenda Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Komitetit Ushtarak të NATO-s në Bruksel. Dhe para pak ditësh me ambasadorët e të gjitha 33 vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it këtu në Prishtinë. Dhe do të jetë detyrë e udhëheqësve tanë politikë që të përcaktojnë trajektoren e ardhshme të KFOR-it. Ajo që mund të them është se angazhimi i NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë rajonin është i qëndrueshëm dhe KFOR-i mbetet një shtyllë kyçe e angazhimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Një shtyllë e suksesshme – unë them po.