Barcelona merr ofertën joshëse nga Premier League, 50 milionë euro për lojtarin “rezervë”

Aston Villa është e gatshme të bëjë një goditje të madhe këtë merkato, duke synuar të rikthejë në Premier League Ferran Torres. Klubi i drejtuar nga Unai Emery beson se spanjolli është profili i duhur që iu nevojitet për të përforcuar sulmin dhe sipas mediave angleze është e gatshme të ofrojë 50 milionë euro për kartonin e Ferran Torres.

Klubi anglez tentoi edhe verën e vitit të kaluar për të transferuar Torres, por oferta për Barcelonën ishte vetëm 20 milionë euro dhe u refuzua në mënyrë kategorike nga klubi katalanas. Këtë herë situata ka ndryshuar, duke parë formën e mirë që Torres ka treguar në sezonin e fundit, edhe pse nuk ka qenë një titullar fiks.

25-vjeçari shënoi 19 gola dhe dha 7 asiste në 45 ndeshje në sezonin e fundit. Megjithatë, ardhja e një sulmuesi anësor, të cilin Barcelona po e kërkon prej kohësh, ku janë përmednur emra si Leao, Rashford apo Luis Diaz, do të zvogëlonte rolin dhe minutazhin e Torres në fushë, ndaj transferimi tek Aston Villa mund të ishte një lëvizje e zgjuar për spanjollin.

Gjithsesi, jemi ende në fazat fillestare të negociatave, por duke ditur që drejtori sportiv i Aston Villa është Monchi, i cili mund të konsiderohet si ekspert i lëvizjeve të tilla, mund të themi që interesi dhe propozimi i Aston Villa për Ferran Torres është konkret dhe serioz.

The post Barcelona merr ofertën joshëse nga Premier League, 50 milionë euro për lojtarin “rezervë” appeared first on Telesport.