Barcelona është finalistja e parë e Superkupës së Spanjës, e cila edhe këtë vit zhvillohet në Arabinë Saudite, në formatin “Final Four”. Në Yeddah, në gjysmëfinalen e parë mes Barcelonës dhe Athletic Bilbao, katalanasit siguruan finalen falë një fitore të thellë 5-0.
Barcelona gjeti golin fillimisht në minutën e 22-të, ku Roony Bardghji pason për Fermin Lopez, ky i fundit niset të godasë, por topi përfundon tek Ferran Torres, i cili e dërgon në rrjetë.
Në minutën e 30-të, Raphinha asiston bukur në zonë, Fermin Lopez me një goditje të lehtë me të majtën brenda zonës, dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 34-të, Barcelona gjen golin e tretë me Roony Bardghji. Suedezi shënon, falë edhe gafës së Unai Simon.
Në minutën e 38-të ishte radha e Raphinha për të gjetur golin. Pasi mori një top nga Roony Bardghji, braziliani depërtoi bukur në krahun e majtë, u fut në zonë dhe me një goditje me të majtën, e dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 4-0 për katalanasit.
Në fillim të pjesës së dytë, Raphinha shënoi golin e dytë personal dhe të pestin për katalanasit, pas disa tentativave rresht. Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Barcelona fiton 5-0 dhe pret në finale fituesin mes çiftit Real Madrid-Atletico Madrid.
The post Barcelona “manita” ndaj Athletic Bilbao dhe fluturon në finalen e madhe (video) appeared first on Telesport.










