Barcelona i kërkon një nder të fundit Ansu Fatit

Barcelona nuk e sheh më Ansu Fatin si pjesë të planeve për sezonin e ardhshëm dhe i ka kërkuar lojtarit të bëjë një nder të fundit për klubin duke pranuar largimin.

Ansu Fati, dikur i konsideruar pasardhës i Lionel Messit, ka humbur rëndësinë në skuadër. Pozicioni i tij është bërë gjithnjë e më dytësor, dhe drejtuesit e klubit mendojnë se largimi i tij do të ishte në të mirë të të gjitha palëve si sportivisht, ashtu edhe financiarisht.

Pengesa më e madhe për këtë lëvizje është paga e lartë që lojtari ka ende për të marrë mbi 25 milionë euro bruto. Barcelona po shqyrton idenë e një largimi me marrëveshje të dyanshme, ku Ansu Fati do të largohej falas, nëse pranon ndërprerjen e kontratës aktuale.

Rrethi i lojtarit ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por me disa kushte. Ansu Fati e kupton situatën financiare të klubit, por kërkon një largim të drejtë dhe një formë kompensimi për të vazhduar karrierën në një ekip të ri.

Disa klube evropiane kanë filluar të shfaqin interes për 22-vjeçarin, i cili ende gëzon reputacion pavarësisht formës së luhatshme në sezonet e fundit.

Barcelona synon që kjo çështje të mbyllet para hapjes së afatit kalimtar së verës, në mënyrë që të lirohen fondet për përforcime të reja dhe Ansu të ketë kohë të gjejë ekipin e radhës.

Negociatat pritet të intensifikohen në ditët në vijim, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje e përbashkët që respekton interesat e të dyja palëve.