Baraliu: Kushtetuesja duhet ta refuzojë pa vonesa kërkesën e Listës Serbe, ndryshe ka pasoja të pariparueshme për shtetin

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se kërkesa e dorëzuar nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb duhet të refuzohet si e papranueshme.

Ai ka theksuar se një vendim ndryshe do të rrezikonte funksionimin institucional të Kosovës dhe do të krijonte pasoja të pariparueshme për shtetin.

Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Baraliu ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim të shpejtë dhe të qartë, duke e konsideruar këtë moment si shumë të ndjeshëm për procesin e formimit të institucioneve të reja të vendit.

“GJK do të duhej ta analizonte, siç është deklaruar, pikërisht tash së voni se janë duke e analizuar parashtresën e subjektit politike Lista Serbe. Por,ajo çfarë do të duhej të ishte përgjigja e kësaj gjykate mendoj është shume vitale për interesat e shtetit dhe momentin politik dhe aktualitetin që kemi, obligimet që ka shteti në funksion të përmbylljes së formimit të institucioneve, në këtë rast të qeverisë. Do të duhej ta refuzonte kërkesën si të papranueshme.

Për arsyeje, se në të kundërtën, analiza e thellë dhe elaborimi i kësaj kërkese, parashtrese në drejtim të masës së përkohshme, mbrojtëse, do të sillte situata edhe paradoksale por edhe të pariparueshme për shtetin. Sepse jemi në një fazën, kur është mandatuar një njeri për kryeministër të ardhshëm, jemi brenda afateve kushtetuese, tani nuk ka më të ketë lëvizje politike nga asnjë subjekt politik. Dhe nuk duhet të vonohet madje për ta dhënë këtë përgjigje eventualisht të papranueshme”, ka thënë Baraliu.

Sipas Baraliut, Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë me urgjencë, duke marrë vendim në funksion të interesit publik dhe të stabilitetit institucional të vendit.

“Afatet kushtuese (për formimin e qeverisë) vazhdojnë. Prandaj është shumë urgjente që GJK që duhet të jap një përgjigje, përgjigja e duhur duhej për interes publik dhe të shtetit, interes të cilin në vendimet e saja e ka përmendur x herë, që ta refuzonte parashtresën si të papranueshme”, ka shtuar Baraliu.

Kujtojmë se më 16 tetor, Lista Serbe dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb ka shkelur Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe një vendim të mëparshëm të vetë Gjykatës.

Zgjedhja e Rashiqit u bë pasi kandidatët e Listës Serbe nuk morën votat e nevojshme në tre raunde votimi. Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi që procesi të përfundojë përmes shortit, ku Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar.

Lista Serbe e ka cilësuar këtë vendim si “jolegjitim” dhe ka paralajmëruar se procesi zgjedhor “humb kuptimin nëse shumica imponon përfaqësuesit e pakicave”.

Ndërkohë, një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re, duke nisur afatin kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e kabinetit qeveritar, afat që skadon të dielën e kësaj jave.