Një mbindërtim i dyshuar në katin e fundit të një objekti në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës, të njohur ndryshe si “ndërtesa e Shqipërisë”, ka shqetësuar disa banorë.
Punimet që po zhvillohen mbi njërën prej banesave të këtij objekti, sipas tyre, po kryhen pa siguri dhe në mënyrë të jashtëligjshme.
Jahë Balaj, kryetar i lagjes, tregon për shqetësimet e fqinjëve të cilët çdo ditë lëvizin nën skelet e hequra, pa asnjë masë sigurie.“Bile e kam bërë edhe një video ku shihet qartë – hiqeshin skelet pa asnjë lloj sigurie, banorët qarkullonin poshtë. Kjo ka ndodhur disa herë, njësoj edhe kur ishin qitë skelet. Ka shumë dyshime për shumë vepra penale në këtë rast” – ka thënë Balaj për KALLXO.com.
Ai thotë se edhe pas raportimit të tij tek Drejtoria e Inspeksionit, punimet kishin vazhduar.
“Ai (Bekim Brestovci) thotë se është ndërprerë të premten, më datë 29, puna vazhdojke më datën 31, ai thotë që kanë qenë inspektorët pas shkrimit tim, por puna ka vazhduar deri pas orës 6-7 në mbrëmje, atëherë këtu diçka nuk është në rregull. Nëse vartësit e tij nuk i tregojnë atij që ka mbindërtim, çka po ndodhë? ”- shton Balaj.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, pranon se në vendin e ngjarjes janë hasur punëtorë dhe është konstatuar një “tentativë për mbindërtim”. Ai shton se ftesat për pronaren e banesës janë bërë para se punimet të nisin, kur ekzistonte vetëm dyshimi për një mbindërtim.
Ndërsa, Brestovci deklaron se palës, i është dhënë një afat kohor prej shtatë ditësh, që të kryej vetë rrënimin e objektit, në të kundërtën, objekti i nisur do rrënohet nga vetë Drejtoria e Inspeksionit.
“Me inspektorët kemi qenë në vendngjarje dhe kemi hasur punëtorë që kanë qenë duke e demolu skelën dhe e kemi ndërpre punën menjëherë. Palës i është dhënë afat shtatë ditor për ta ekzekutuar rrënimin vetvetiu dhe nëse kjo nuk do të ndodhë deri më datë 7 (shtator), atëherë më datë 8 veç e kemi futur në planifikim të kompanisë që dikun që kah ora 10:00 e ditës të filloj rrënimin”- ka thënë Brestovci.
KALLXO.com ka qenë deri tek banesa ku pak ditë më parë, po kryheshin punimet për ndërtimin e një objekti sipër saj.
Në derën e asaj banese kanë qenë të vendosura thirrjet e Drejtorisë së Inspeksionit dhe aktvendimi për rrënimin e objektit.Bazuar në thirrjet e Inspeksionit të vendosura në derë, pronare e banesës figuron Xhuliana Nura.
KALLXO.com ka tentuar disa herë që të flas me të, mirëpo nuk i është përgjigjur thirrjeve përmes telefonit. Ndërsa, përmes një shkrimi, shkurtimisht ajo ka mohuar se aty po kryhet një mbindërtim. “Jo unë s’kam lidhje me këtë gjë. Ju keni të drejtë me ba intervista e emisione, e lajme sa të doni, po jo me shpikë. Ajo banesë është t’u u renovu edhe e di që ka problem me tavan (çati) se rrjedhë uji në banesë dhe e kanë ndreqë problemin. S’ka mbindërtim etj” – ka thënë Xhuliana Nura për KALLXO.com.
Ky nuk është rasti i vetëm i raportimeve të qytetarëve për mbindërtimet pa leje në Kryeqytet.Qeverisjet lokale në Prishtinë, në vazhdimësi janë kritikuar për problemet me mbindërtimet në qytet.Ndërsa Komuna, vazhdon të ankohet për numrin e vogël të inspektorëve komunal të ndërtimit. /Kallxo/