Banorët e Obrançës protestojnë kundër zhvendosjes së varrezave të qytetit në fshatin e tyre

Banorët e fshatit Obrançë të Podujevës kanë protestuar mëngjesin e sotëm në kundërshtim të vendimit të Komunës për zhvendosjen e varrezave të qytetit në këtë fshat.

Një banore, e cila ka kontaktuar redaksinë e Klankosova.tv, tha se në protestë ka qenë e pranishme edhe Policia e Kosovës, ndërsa sipas saj “sjellja e tyre ndaj banorëve nuk ka qenë korrekte”.

“Ne kemi dalë rreth orës 08:00 të mëngjesit, pastaj ka ardhur policia dhe kompania që po punon. I kemi ndaluar dhe nuk e kemi liruar rrugën, por ata na kanë shtyrë. Jemi munduar të rezistojmë sepse është e drejta jonë, dhe nuk është në rregull me i sjellë varrezat e qytetit këtu”, tha banorja e fshatit.

Ajo njoftoi se protesta tashmë ka përfunduar, ndërsa kompania ka vazhduar punimet.

“Komuna nuk del me fol këtu me neve, nuk merret me këtë punë”, shtoi ajo.

Lidhur me rastin, Klankosova.tv ka dërguar pyetje në adresë të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit, dhe është në pritje të përgjigjeve.