Shkruan: Sali Kabashi
Tash e sa vite banorët e disa fshatrave të Istogut janë të ngulfatur nga tymi i mbeturinave që digjen në vendin ku hidhen, e që është Fshati Tupeq i kësaj Komune dhe e gjithë kjo bëhet me lejen dhe urdhrin e pushtetit komunal në Istog!
Këto fshatra janë me një natyrë shumë të bukur dhe piktoreske, por kjo nuk mund të thuhet më, sepse ajrin e pastër dhe dukjen pranverore po e ndytë dhe po e shëmton tymi i këtyre mbeturinave!
Një ndër fshatrat më të prekur të Istogut nga ky tym dhe kundërmim i erës së deponisë së mbeturinave, është fshati Veriq, i cili çdo ditë gdhinë nën re të tymit të asaj deponie e cila çdo dit digjet. Pothuajse asnjë shtëpi nuk mund t’i hapë dritaret apo dyert për ajrosjen e shtëpisë, qoftë në mëngjes apo mbrëmje, e gjithë kjo për shkak të atij tymi që Komuna e Istogut e legalizoj në këtë zonë!
Disa nga banorët kanë reaguar dhe kanë folur kundër kësaj padrejtësie që po iu bëhet, por ka edhe nga ata që kanë frikë të flasin dhe të ankohen, për shkak se frikësohen nga hakmarrja e pushtetit, e që do të ishte në mosdhënien e subvencioneve bujqësore, për shkak se këto fshatra merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori.
Banorët e kësaj pjese të Komunës së Istogut, ndonëse nuk po mund ta ngritin zërin, vërtetë janë nën një padrejtësi të madhe nga pushteti, edhe pse ky pushtet komunal kishte marrë një përqindje të madhe të votave nga këta banorë, e sidomos nga Veriqi i cili po e pëson më së shumti nga tymi i deponisë së mbeturinave të më se 50 fshatrave të Istogut, por ja që sot pushteti komunal nuk dëshiron të dëgjoj fare për votuesit e vet!
Arsyetimi i Komunës është se “nuk ka buxhet” për largimin apo zgjidhjen e kësaj problematike, ndërsa në anën tjetër për gjera dytësore, po gjendët buxheti dhe investimi.
Në të gjithë Botën, deponitë e tilla të mbeturinave groposën, ndërsa te ne digjen dhe me këtë akt edhe ndyhet ajri dhe ambienti ku po jetojmë.
Fotografitë e mëposhtme pasqyrojnë gjendjen në Fshatin Veriq: