Bankat Qendore në vendet e Bashkimit Evopian kanë filluar të mendojnë për rregullimin e monedhave virtuale. Edhe Shqipëria u është bashkuar institucioneve kryesore financiare europiane që paralajmërojnë qytetarët për rrezikun e monedhave virtuale.
Autoriteti Europian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA), Autoriteti Europian Bankar (EBA) dhe Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit në Shqipëri paralajmërojnë konsumatorët në lidhje me rreziqet e mëdha të blerjes dhe ose mbajtjes së të ashtuquajturave Monedha Virtuale. Njëlloj po vepron edhe Banka Qendrore e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale.
“Në vazhdën e angazhimeve vlerësuese dhe paralajmëruese të BQK-së lidhur me dukurinë e parave virtuale, Bordi Ekzekutiv i BQK-së në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2018 ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale”, thuhet në komunikatë.
BQK njofton se ky organ i strukturuar në formën e një grupi këshillues do të përcjellë dhe analizojëzhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale, me fokus në trajtimin e tyre nga rregullatorët në vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si dhe do të përgatisë rekomandime për organet vendimmarrëse të BQK-së lidhur me hapat e mëtejmë në funksion të rregullimit të parave virtuale.
“BQK-ja ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në adresimin e çështjeve të lidhura me paratë virtuale, duke analizuar zhvillimet relevante, duke kontaktuar autoritetet përgjegjëse në vendet evropiane, si dhe duke komunikuar me publikun qoftë përmes komunikatave të veçanta, qoftë përmes deklaratave dhe prononcimeve të zyrtarëve të saj”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
“BQK-ja vazhdon t’ua tërheqë vëmendjen subjekteve vendore lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale, si dhe lidhur me implikimet e tjera të mundshme”, thuhet në përfundim të komunikatës së BQK-së.