Balotazhi i VV-së: Ku hyn favorite, ku ka gjasa reale dhe ku thuajse të pamundur?

Lëvizja Vetëvendosje hyn në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me një situatë interesante: tri fitore që në raundin e parë, ndërkohë që garon në balotazh në shumicën e komunave të vendit. Në disa prej tyre, VV del me momentum pozitiv dhe epërsi të ndjeshme që e bëjnë pretendente serioze për fitore; në të tjera, përballja mbetet e vështirë për t’u parashikuar, ndërsa në disa të tjera, shanset janë tepër minimale.

Fitoret që në raundin e parë

Kamenicë (50.56%) – Kadri Rahimaj arriti të kalojë pragun prej 50 për qind me 7,389 vota, duke mposhtur Qëndron Kastratin e Partisë Socialdemokrate.

Podujevë (53.42%) – Edhe pse kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, mori 39.08 për qind të votave, rezultati nuk mjaftoi për ta çuar garën në balotazh.

Shtime (50.47%) – Qemajl Aliu arriti fitoren më të ngushtë ndër tri komunat, duke mposhtur Përparim Ramusën e PDK-së, i cili siguroi 37.17 për qind.

Balotazhe ku VV hyn favorite serioze

Gjilan – Vetëvendosje ka gjasa reale për fitore, pasi ndodhet pothuaj në kufirin e shumicës absolute (49.79%), me rreth 15 pikë përqindjeje përpara LDK-së.

Fushë Kosovë – Me 45.14 për qind dhe një diferencë rreth 8 pikësh ndaj LDK-së, Vetëvendosja hyn si favorite në këtë balotazh.

Balotazhe me shanse të mira

Prishtinë – Në kryeqytet, Vetëvendosje përfundoi e dyta, në një garë fyt-a-fyt me LDK-në: 33.76% ndaj 33.05% (−0.7 pikë). Balotazhi në Prishtinë pritet të jetë ndër më të paparashikueshmit, me elektoratin e PDK-së që mund të përcaktojë fituesin.

Mitrovicë e Jugut – Vetëvendosje është vetëm 28 vota prapa PDK-së: 47.89% ndaj 47.80% (−0.1). Një garë tejet e ngushtë, ku çdo votë mund të vendosë rezultatin.

Obiliq – LDK 46.47% vs VV 44.04% (−2.4). Garë e hapur ku rezultati mund të përcaktohet nga çdo lëvizje e këtyre partive.

Viti – LDK 37.99% vs VV 33.55% (−4.4). Me një diferencë të konsiderueshme, Vetëvendosje mbetet në pozicion më të pavaforshëm, por jo pa gjasa.

Kaçanik – PDK 39.86% vs VV 37.86% (−2). Një garë e vështirë për Vetëvendosjen, meqë një koalicion me kandidatin e pavarur Heset Masliu duket pak i mundshëm.

Balotazhe ku VV është në disavantazh të dukshëm

Prizren – PDK 41.99% vs VV 29.80% (−12). Vetëm një bashkim pothuaj total i votës anti-PDK do të mund ta mbante gjallë shpresën për një përmbysje.

Gjakovë – AAK 47.74% vs VV 32.82% (−15). Fitorja këtu duket praktikisht e pamundur, pasi kandidati Ardian Gjini është shumë pranë fitores absolute.

Rahovec – AAK 37.28% vs VV 23.92% (−13). Diferenca e lartë e bën tepër të vështirë edhe në këtë komunë një rikthim për Vetëvendosjen.

Vushtrri – PDK 45.56% vs VV 30.63% (−15). Gara konsiderohet pothuaj e mbyllur në favor të PDK-së.

Pejë – LDK 46.11% vs VV 27.88% (−18). Matematikisht në garë, por praktikisht në të njëjtin nivel vështirësie si Prizreni, Gjakova dhe Vushtrria.