Ballkani tronditet në Irlandë dhe eliminohet nga Kupat e Europës

Ballkani është eliminuar nga faza kualifikuese e turit të tretë për në Ligën e Konferencës, pasi u mposht thellë nga Shamrock Rovers, 4-0.

Ndeshjen e parë, skuadra nga Suhareka e fitoi 1-0, por që në takimin e dytë në udhëtim u shpartallua.

Këtë përballje më mirë e filluan vendasit, që rrezikuan qysh në minutën e dytë, por Golubovic bëri një pritje të sigurt.

Por, në minutën e 16-të, Ismajlgeci lëshoi një goditje të fortë, duke goditur shtyllën.

Edhe Smajli provoi fatin e tij, por që McGinty i Shamrock bëri një pritje të mahnitshme.

Mbrojta e Ballkanit nuk ia doli të mbahej në minutat e fundit të pjesës së parë, pasi Rory Gaffney realizoi për 1-0 në minutën e 45+1-të.

Gaffney (48’) sërish ndëshkoi Ballkanin, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Për 3-0 ia doli të realizonte Honohan në minutën e 55-të, duke ia vështirësuar punët edhe më shumë skuadrës kosovare.

Burke shënoi golin e katërt për Shamrock Rovers, duke e konfirmuar eliminimin e Ballkanit nga Liga e Konferencës.

Ballkani tani do të fokusohet në startin e sezonin 2025/26 në Superligën e Kosovës që nis në këtë fundjavë.

The post Ballkani tronditet në Irlandë dhe eliminohet nga Kupat e Europës appeared first on Telesport.