Deputetja Duda Balje ka bërë një postim pas komenteve që ka marrë në postimin e fundit, ku shkroi se “hakmarrja nuk ka nisur, veç ka vazhduar”, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia shkarkoi dy zyrtarë të partisë nga postet qeveritare.
Balje u është drejtuar qytetarëve duke thënë se kushdo që ka ndonjë provë që ajo ose ndonjë anëtarë i familjes së saj, i kanë bërë diçka të keqë shtetit apo ndonjë individi, ta raportojnë tek institucionet përgjegjëse, shkruan Reporteri.net.
“Nëse nuk keni — dhe të gjithë e dimë që nuk keni, e me çdo koment tuajin vetëm përhapni gënjeshtra — mos e humbni më kohën. Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time. Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet”, ka shkruar Balje.
Ndryshe, Kurti ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin për Zhvillim Rajonal, Elldin Ugllar, anëtar i partisë SDU, që udhëhiqet nga deputetja Duda Balje.
Në vendimin e lëshuar për shkarkimin e Ugllar, thuhet se i njëjti “obligohet të bëjë deklarimin e pasurisë në përputhje me ligjin për kontrollin e pasurisë dhe dhuratave”.
Krahas tij, nga dokumenti që po qarkullon në media, nga pozita e këshilltarit politik është shkarkuar edhe Enes Sulejmanoviç, gjithashtu pjesë e SDU-së.
Këto shkarkime, Balje i cilësoi si hakmarrje./Reporteri.net










