Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se ende nuk është kontaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për ndonjë takim lidhur me formimin e qeverisë së re.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar dhe se e vetmja kërkesë është formimi i Komunës së Boshnjakëve.
“Jo hala nuk më kanë kontaktuar askush. Kërkesën e njëjtë e kam, kurrgja s’kam ndryshu, qysh ka qenë në takimin e parë, kështu ka me qenë edhe tash. Nuk besoj që kam me ndërru ndonjë qëndrim edhe ata e dinë shumë mirë”, ka deklaruar Balje në një intervistë për IndeksOnline, transmeton Periskopi.
Deputetja ka treguar se është befasuar kur ka dëgjuar se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka biseduar me Kurtin për nisjen e procedurave për formimin e komunës së Boshnjakëve.
“Dy ditë para zgjedhjeve kam dëgju se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka folë me kryeministrin Kurti se është tani gati të fillojë procedurat për Komunën e Boshnjakëve. Kur e kam dëgjuar këtë jam befasur, sepse kur kam folë me kryeministrin ka qenë shumë kundër,” ka shtuar ajo.
Balje ka nënvizuar se nuk është e gatshme të bëjë pazare politike për mbështetje ndaj Qeverisë së re.
“Unë nuk du me bo pazare, nuk jam për kurgjo, vetëm për formimin e komunës së Boshnjakëve,” ka theksuar deputetja boshnjake
Sipas Kushtetutës, nëse Qeveria nuk arrin të marrë shumicën e votave në Kuvend, presidentja duhet që brenda 10 ditësh të mandatojë një kandidat tjetër. Nëse dështon edhe tentativa e dytë, presidentja është e obliguar të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre.
Aktualisht, kanë mbetur edhe 11 ditë deri në përfundimin e afatit 15-ditësh, brenda të cilit duhet të paraqitet për miratim përbërja dhe programi i Qeverisë së re.
Për ta formuar Qeverinë, Albin Kurtit i nevojiten të paktën 61 vota. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka nga shtatë deputetë të komuniteteve joserbe dhe nga deputeti Nenad Rashiq.
Megjithatë, mbështetja e deputetes boshnjake Duda Balje, e atij egjiptian Veton Berisha dhe e deputetit goran Adem Hoxha, ende nuk është e sigurt. Kjo e bën të domosdoshme për Vetëvendosjen sigurimin e të paktën edhe pesë votave shtesë për të formuar shumicën parlamentare.
Në Vetëvendosje kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe me parti të tjera, përfshirë Nismën Socialdemokrate. Megjithatë, negociatat e mëhershme me Nismën, e cila ka tre deputetë, nuk kanë prodhuar marrëveshje, pasi partia kishte kërkuar që kryetar i Kuvendit të propozohej kryetari i saj, Fatmir Limaj.