Bale për Xabi Alonso: Më shumë se trajner, te Reali duhet të dish t’i menaxhosh egot e yjeve

Gareth Bale e njeh shumë mirë dhomën e zhveshjes së Real Madridit, ku kaloi një pjesë të madhe të karrierës së tij dhe fitoi pesë herë Champions League. Pas largimit të Xabi Alonso nga pankina e “Los Blancos”, Bale u pyet për arsyet pse aventura e trajnerit bask nuk funksionoi siç pritej.

Fillimisht, uellsiani e mbrojti teknikun dhe theksoi cilësitë e tij. “Është një trajner i jashtëzakonshëm. Ka fituar atë që ka fituar me Bayer Leverkusen, ka ngritur trofe dhe e ka stërvitur ekipin në mënyrë të shkëlqyer. Por kur vjen te Real Madridi, nuk të duhet të jesh trajner, por menaxher. Duhet të menaxhosh egot në dhomën e zhveshjes”, – tha ai për “TNT Sports”.

Bale nënvizoi edhe cilësinë e futbollistëve të Realit, të aftë të vendosin ndeshjet me një shkëndijë: “Duhet t’i përkëdhelësh egot, nuk ka nevojë për shumë taktika. Real Madridi ka superyje që mund t’i ndryshojnë ndeshjet sa hap e mbyll sytë. Pra, Xabi Alonso është trajner dhe takticien i madh, por në Madrid, qartësisht nuk funksionoi”.

The post Bale për Xabi Alonso: Më shumë se trajner, te Reali duhet të dish t’i menaxhosh egot e yjeve appeared first on Telesport.