Bale për jetën pas lënies së futbollit: Shumë jetojnë në luks, por unë kisha frikë nga falimentimi

Jeta e një futbollisti, pas “pensionimit” mund të jetë më sfiduese se sa duket. Shumë ish-lojtarë flasin për vështirësitë që hasin; nga depresioni te problemet financiare, sidomos nëse nuk di ta menaxhosh stilin e jetesës kur ndalon së arkëtuari miliona.

Gareth Bale, ish-kapiteni i Uellsit dhe “mister 100 milionëshi” i Real Madridi, ka pranuar frikën e tij pas tërheqjes nga fushat e blerta, në moshën 34-vjeçare: “Gjithmonë më ka frikësuar pensionimi nga futbolli. Kam lexuar për sportistë që mbyllin karrierën dhe përfundojnë në falimentim. Shumë jetojnë në luks, gjë që unë e kam shmangur. Kam menduar gjithmonë si do të ishte jeta ime pas futbollit”.

Gjatë kohës te Real Madridi, Bale fitoi mbi 170 milionë euro, para se të shkonte në MLS dhe ta mbyllte karrierën me kombëtaren pas Botërorit 2022: “Kur ndalon së luajturi futboll, ndalon edhe pagesa. Duhet të rindërtohet jeta. Unë i kam diversifikuar investimet për të mos humbur gjithçka në rast dështimi”.

Sot, Bale është i angazhuar në biznese si bare, fusha minigolfi dhe komentator i Champions League për televizionin britanik. Ai ka nisur negociata për të blerë Cardiff City, klubin e qytetit të lindjes, duke theksuar potencialin e madh të tij.

The post Bale për jetën pas lënies së futbollit: Shumë jetojnë në luks, por unë kisha frikë nga falimentimi appeared first on Telesport.