Bakir Izetbegoviq, lideri i partisë më të madhe opozitare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka trazuar opinionin publik në këtë vend me deklaratën se në ditët në vijim “diçka e rrezikshme” do të ndodhë në Banjallukë, por ka refuzuar të sqarojë se çfarë saktësisht mund të nënkuptojë kjo.
Izetbegoviqi, i cili udhëheq partinë boshnjake Partia e aksionit demokratik (SDA), duke shprehur ambicie që në zgjedhjet e tetorit të rikthehet në pushtet, në një intervistë për TV të Federatës së BeH (FTV) akuzoi strukturat aktuale qeverisëse, përkatësisht tri partitë që në to përfaqësojnë kryesisht trupin elektoral boshnjak, se nuk e kontrollojnë fare gjendjen në vend, transmeton Paparaci.
Me këtë rast ai përmendi drejtpërdrejt kryesuesin aktual të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ellmedin Konakoviq.
Kemi iluzionin se Ellmedin Konakoviqi dhe Denis Beqroviqi i kontrollojnë proceset. Por në fakt, ata befasohen nga ngjarjet, ashtu siç do të befasohen përsëri këto ditë nga disa zhvillime që do të ndodhin në Banjallukë. Nuk do të them cilat, deklaroi Bakir Izetbegoviqi.
Ai vetëm la të kuptohet se bëhet fjalë për një “lëshim të ri ndaj Millorad Dodikut”, në të cilin thuhet se është i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar.
“Natyrisht që është e rrezikshme, por nuk do të them se çfarë është. Ata (pushteti) as nuk e dinë që kjo do të ndodhë”, ka thënë Bakir Izetbegoviqi.
Për këtë deklaratë të tij reagoi menjëherë Ellmedin Konakoviqi, duke komentuar se Bakir Izetbegoviqi po shqetëson opinionin publik, dhe njëkohësisht po kryen vepër penale nëse vërtet ka njohuri për një rrezik të mundshëm, por refuzon të zbulojë se për çfarë bëhet fjalë — dhe këtë nuk dëshiron ta bëjë vetëm për të dëmtuar pushtetin aktual.
“Kjo është edhe një dëshmi tjetër se ai personalisht dhe ekipi i tij e urrejnë më shumë “treshen” (partitë në pushtet) sesa e duan vendin e tyre. Po të kisha informacione të tilla dhe ai të ishte në pozicionin tim, do ta telefonoja menjëherë dhe do t’ia thosha, ka thënë Konakoviqi nga SHBA, ku ndodhet për një vizitë pune.
Në debat për këtë paralajmërim të Izetbegoviqit u përfshi edhe Sllaven Kovaçeviqi, këshilltar i anëtarit të Kryesisë së BeH, Zhelko Komshiq, dhe kandidat për pasardhës të tij në zgjedhjet e vjeshtës.
Kovaçeviqi ka thënë për shërbimin publik BHT 1 se edhe ai di për çfarë bëhet fjalë dhe se “mund të ndodhin shumë gjëra”.
“E di për çfarë bëhet fjalë, por nuk është çuar deri në fund, mund të ndodhin shumë gjëra. Nuk do të ndodhë paqëndrueshmëri apo ndonjë incident, do të ketë edhe më shumë diskutime rreth kësaj, ka deklaruar Kovaçeviqi, duke shtuar vetëm se bëhet fjalë për një “çështje politike” dhe jo për kryerjen e ndonjë vepre penale./Paparaci.com










