Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se sot sërish është shkelur rregullorja e Kuvendit të Kosovës, pasi emri duhej të ishte propozuar nga VV-ja.
Në atë që përmendi Glauk Konjufca se njësoj do ishte edhe për nënkryetarët, Bajrami e LDK-së tha se nuk është situatë e njëjtë pasi Kryetari përfaqëson Kuvendin, ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike.
“Sapo u konstatua që u shkel edhe një herë rregullorja e Kuvendit për faktin se ishim në një proces të votimit dhe krejt çfarë ishte autorizuar sipas rregullores, VV-ja si fituese e zgjedhjeve ishte që të propozonte emrin, dhe ish dashur që të procedohej me emër. Paralelja që po e tërheq Konjufca, janë si kryetari si nënkryetari s’është e saktë, pasi Kryetari përfaqëson Kuvendin, ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve”.
Ajo tha se VV-ja s’ka vullnet as për marrëveshje politike përderisa insistojnë të mos ndryshojnë as emrin, ndërsa shtoi se si LDK nuk kanë një emër të caktuar, pavarësisht se ajo tha emra tjerë janë përmendur nga një parti tjetër politike.
“Kërkesa për kohë shtesë edhe për 48 orë tjera për të arritur marrëveshje politike, ku insitojnë se s’do ta ndryshojnë emrin e kandidates, në anën tjetër kërkojnë nga deputetët që ata të votojnë sipas vullnetit të VV-së, ky veç vullnet për marrëveshje politike s’është. Palët duhet të dëgjohen”.
“Sikur këta të ishin interesuar për marrëveshje, ishin ulë e kishin folë për emrin e pranueshëm”, tha Bajrami pas dështimit të seancës.
“Përgjegjësia në këtë rast është e partisë fituese, ata duhet të ulen të bisedojnë me partitë politike”, shtoi Bajrami, ndërsa tha se VV-ja është bllokuesja e vërtetë.
“Nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje. Bllokuesit e vërtetë në këtë rast janë VV-ja. Ata duhet të ulen me partitë politike. Ne s’jemi ata që po kërkojmë një emër tjetër nga radhët e VV-së. Ata mund ta propozojnë edhe një kandidad edhe komplet prej një grupi tjetër, dhe ulemi i pysim deputetë si duan të votojnë. Është situatë që s’mund të vazhdojë në pafundësi”, tha deputetja e LDK-së.