Bajrami takon zyrtarin e lartë amerikan: LDK propozon zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën institucionale

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka zhvilluar një takim me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, transmeton KosovaPost.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se në takim përfaqësoi LDK-në dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës, qoftë në momentet e vështira historike, ashtu edhe tani në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Ajo tha se në takim ka shprehur shqetësimin për krizën e thellë institucionale që sipas saj po paralizon vendin, dhe ka ritheksuar qëndrimin e LDK-së se vendit i nevojitet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike.

“LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare. Ne qëndrojmë në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror”, shkroi Bajrami.

The post Bajrami takon zyrtarin e lartë amerikan: LDK propozon zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën institucionale appeared first on Kosovapost.net.