Bajrami: Shkojmë në takim te Kurti, kemi votë kundër për çdo kandidat të VV

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka thirrur për nesër nga ora 16:00.

Këtë e konfirmoi para gazetarëve nënkryetarja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami.

“LDK do të marr pjesë në takim, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e LVV –së. Vetëm para pesë minutash, Kurti nuk e mori mundin nga salla plenare të vijë deri te salla numër 10 ku ishin prezent të gjithë liderët e partive politike”, tha ajo.

Por, derisa do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim, LDK-ja mbetet në qëndrimin e njëjtë kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në votim.

Bajrami ka thënë se ata do të votojnë kundër për çdo kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kushtetuesja obligon të gjithë deputetët të votojnë, për, kundër ose abstenim. Siç e dini në seancën e parë kur është votuar për kandidaten, Albulena Haxhiu deputetët e LDK-së kanë marr pjesë në votim, kanë votuar kundër. Neve po vazhdon të na pamundësohet votimi. Kryesuesi i seancës për të cilin ka folur Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj, është duke mos e respektuar rendin e ditës, nuk po i lejon deputetët të votojnë, për, kundër ose abstenim. LDK e ka thënë disa herë se kryetari i Kuvendit duhet të votohet me marrëveshje politike. Ne, derisa nuk kemi marrëveshje politike, dhe nuk do të kemi, nuk do të votojmë. Kemi votë kundër për cilindo kandidat që LVV propozon. Ju takon atyre që t’i përshtaten kërkesave të partive të tjera që kanë dhënë opsione të tjera”, tha tutje Bajrami.

Ajo tutje tha se nuk  mund të marrin pjesë në një votim që, sipas saj, është gatuar në zyrat e LVV-së.

Deputetja e LDK-së deklaroi se, bllokada po vjen nga VV-ja që, sipas saj është  betonuar rreth një emri, rreth një procedure dhe komplet Kosova gjendet në këtë ngërç institucional.

The post Bajrami: Shkojmë në takim te Kurti, kemi votë kundër për çdo kandidat të VV appeared first on Kosovapost.net.