Bajrami porosi Vetëvendosjes: Kush përçan mërgatën është kundër Kosovës

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami, ka deklaruar se mërgata është vetë Kosova.

Ajo theksoi se kush e përçan mërgatën, është kundër Kosovës.

“Mërgata nuk i takon asnjë partie politike. Mërgata i takon vetëm Kosovës”, tha ajo.

Bajrami tha se partia që ka dështuar në ekonomi, diplomaci, arsim e shëndetësi ka përdorur çdo mjet për të përçarë shqiptarët, për të ndarë mërgatën dhe për të rritur polarizimin.

E dyta e LDK-së shtoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka keqpërdorur mërgatën.

“Mërgata është aset i Republikës së Kosovës dhe mbi të askush s’mund të pretendojë pronësi. Kontributi i tyre para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës është i jashtëzakonshëm.
Ju kujtohen dy ministrat e ardhur nga diaspora për t’i dhënë kontribut Republikës, të cilët u detyruan të largohen nga Kosova për shkak se nuk zbatonin urdhrat e nëntokës së Vetëvendosjes!”, shtoi nënkryetarja e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjithë mërgimtarëve të vijnë në Kosovë, të votojnë e të investojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë kontributin e tyre për shtetin.

Faleminderit mërgatë për gjithçka që keni bërë për Republikën e Kosovës!

Në foto keni numrin dhe përqindjen e votave të mërgatës në zgjedhjet e fundit lokale. LDK ishte partia e parë dhe, padyshim presim që mërgata do të na mbështesë sërish më 28 dhjetor.