Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohet sistemi i faturimit të energjisë elektrike në vend, duke e quajtur këtë proces “hajninë më të madhe që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se qytetarët e Kosovës po vidhen çdo ditë përmes tarifave të energjisë, dhe ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse.
“Ju kam thënë edhe më herët që përmes faturave të energjisë elektrike po ndodh hajnia më e madhe që ky vend ka përjetuar ndonjëherë – po vjedhet 24 orë në ditë, 7 ditë në javë secili qytetar i vendit,” – ka shkruar deputetja e LDK-së.
Ajo ka përmendur edhe një shkrim të gazetarit Agon Sinanaj, i cili, duke u bazuar në të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka raportuar për rritje të ndjeshme të tarifës që paguajnë konsumatorët për Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).
Sipas të dhënave që citoi Bajrami, nga viti 2023, konsumatorët në Kosovë e paguajnë këtë tarifë katërfish më shtrenjtë, nga 0.73 euro në 3.14 euro për megavat/orë.
“Kjo rritje erdhi si rezultat i dështimit të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e këtij fondi dhe favoreve ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme në ‘kurriz’ të konsumatorëve,” – citoi ajo nga artikulli i gazetarit Agon Sinanaj.
Deputetja Bajrami ka akuzuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeministrin Albin Kurti, se kanë bekuar dhe lejuar këtë formë të vjedhjes, duke e konsideruar si një barrë të padrejtë për qytetarët.
“Ata që po e mundësojnë dhe po e lejojnë këtë vjedhje e kanë bekimin e Artane Rizvanollit dhe Albin Kurtit. Militanta, a po e cilësojmë patriotizëm edhe këtë?” – ka shtuar Bajrami në reagimin e saj.
Deputetja ka paralajmëruar se kjo çështje do të ngrihet edhe në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga opozita dhe mediat që të ndihmojnë në zbardhjen e keqpërdorimeve në sektorin e energjisë.
Bajrami ka shpërndarë edhe linkun e artikullit të gazetarit Agon Sinanaj, i cili përmban të dhëna nga raportet zyrtare të auditimit për mënyrën e menaxhimit të Fondit të BRE-ve










