Bajrami kundër mbylljes së emisioneve: Asnjë media nuk duhet të heshtet nga pushteti

Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me debatet e fundit për mundësinë e mbylljes së emisionit “Debat Plus”, duke theksuar se, pavarësisht kritikave që ka pasur ndaj trajtimit të saj në këtë emision, është kundër çdo përpjekjeje për të kontrolluar ose ndëshkuar mediat.

Në një postim publik, Bajrami ka deklaruar se moderatori i “Debat Plus” ka përsëritur në mënyrë të njëanshme dhe jashtë kontekstit pretendimin se ajo “nuk e ka problem Listën Serbe”, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar në krijimin e një narrative të pavërtetë ndaj saj.

Sipas saj, si pasojë e këtij trajtimi janë shpërndarë montazhe fotografish dhe videosh të manipuluara, përfshirë përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat kanë rezultuar me kërcënime dhe ndjenjë pasigurie për të dhe familjen e saj.

Megjithatë, Bajrami ka theksuar se mbështet lirinë e mediave dhe kundërshton mbylljen e çdo emisioni apo nismat e institucioneve për të ushtruar kontroll mbi mediat.

“Liria e medias nuk mbrohet vetëm kur media sillet mirë me ne; ajo mbrohet sidomos kur kemi arsye personale për t’u ndier të dëmtuar prej saj”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka vlerësuar se çdo presion institucional apo politik ndaj mediave është i rrezikshëm dhe bie ndesh me parimet demokratike dhe standardet evropiane.

Ajo ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të çdo forme presioni ndaj mediave dhe ruajtjen e pavarësisë së tyre, ndërsa njëkohësisht u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë standardet më të larta etike, profesionale dhe ligjore.

“Një media e lirë mund të gabojë. Një media e kontrolluar është gabimi vetë”, ka përfunduar Bajrami në reagimin e saj.