Bajraktari për Eliot Engel: Kongresmeni i shqiptarëve, miku që nuk na tradhtoi kurrë

Aktivisti dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar me pikëllim për vdekjen e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një nga miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar ndër dekada.

Në një reagim publik, Bajraktari theksoi rolin kyç të Engel si zë i shqiptarëve në Kongresin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për më shumë se 30 vjet.

“Ka ndërruar jetë miku i madh i shqiptarëve, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, zëri i shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për më shumë se tri dekada. Ai është një mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar, një nga më meritorët që sot e kemi Kosovën e lirë e të pavarur, si dhe Shqipërinë demokratike e pjesë të NATO-s”, ka shkruar Bajraktari.

Ai ka ndarë edhe një rrëfim personal për raportin e tij me Engel, duke kujtuar takimin e parë në vitin 1989.

“Për mua personalisht, Eliot Engel ka qenë si vëlla i imi dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar”, ka theksuar ai.

Sipas Bajraktarit, Engel do të mbetet një figurë e paharrueshme për të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe diasporë.

“Populli shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, Çamëri e diasporë do ta kujtojë përgjithmonë si një nga miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë në Washington dhe New York”, ka shtuar ai.

Ai ka vlerësuar kontributin e Engel në momentet më të rëndësishme historike për shqiptarët, përfshirë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

“Në ditët tona më të errëta dhe në ditët më të lumtura, ai ishte pranë nesh. Historia jonë nuk mund të shkruhet pa emrin e Eliot Engel. Atë do ta kujtojmë si kongresmenin e shqiptarëve, mikun që nuk na tradhtoi kurrë, njeriun që foli për ne kur nuk kishim zë”, ka deklaruar Bajraktari.

Në fund, ai ka shprehur ngushëllime për familjen e Engel, përfshirë bashkëshorten e tij, duke theksuar se “sot ndajmë dhimbjen me ta, por edhe krenarinë që kemi pasur fatin ta quajmë Eliot Engel mikun tonë”.

“Shpirti i tij u prehtë në paqe. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Eliot Engel”, përfundon reagimi i tij.