Bajra: ZRRE-ja në njërën anë godet KEK-un, në tjetrën tenton ta trashë fitimin e KEDS-it

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Ujkan Bajra, ka kritikuar ashpër Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke e akuzuar për njëanshmëri në favor të operatorëve privatë të energjisë dhe në dëm të interesave të qytetarëve dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas Bajrës, propozimet e ZRRE-së, si ky i fundit për rritjet e çmimit të rrymës për 15 për qind, janë të pabazuara në të dhëna transparente dhe po rëndojnë mbi qytetarët, të cilët tashmë po përballen me kosto të larta të jetesës.

“ZRRE-ja ka marrë parasysh vetëm kërkesat e operatorëve ekonomikë, jo të qytetarëve. Kur e shohim se mirëqenia e tyre është përkeqësuar dhe po propozohet rritja e çmimit të energjisë, atëherë është e qartë që ky institucion po vepron në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Bajra në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai theksoi gjithashtu se operatorët privatë, si KEDS dhe KESCO, nuk kanë publikuar pasqyrat financiare që nga viti 2019, ndonëse kjo është një kërkesë ligjore.

“Prej vitit 2020 e deri më sot, operatorët nuk kanë bërë asnjë prezantim të pasqyrave financiare. Kjo mungesë transparence nuk është e drejtë ndaj konsumatorëve. Nuk duhet që barrën e rritjes së çmimit ta mbajnë qytetarët”, shtoi ai.

Bajra vuri në dukje se ZRRE-ja në vitin 2024 ka refuzuar propozimin e KEK-ut për rritjen e çmimit të energjisë që i shet KEDS-it, por në të njëjtën kohë ka aprovuar rritje të çmimeve për konsumatorët me kërkesë të KEDS-it.

“Në vitin 2024, KEK-u kërkoi që çmimi për megavat të rritej nga 29.5 në 36 euro për KEDS-in, por ZRRE-ja nuk e aprovoi. Ndërkohë, më 2023, e ka lejuar rritjen e tarifave me 15% për konsumatorët. Kjo tregon qartë favorizim të KEDS-it”, është shprehur profesori.

Profesori i ekonomisë gjithashtu e quajti të vonuar dhe të motivuar politikisht propozimin e Presidencës për heqjen e TVSH-së prej 8 për qind për energjinë elektrike, duke argumentuar se kjo masë nuk do të ndikonte në fitimet e operatorëve.

“As në deklaratën e Presidencës, as në postimet e Qeverisë nuk diskutohet ulja e çmimit, por vetëm ruajtja e çmimit aktual. Kjo është një lëvizje e vonshme dhe më shumë për konsum politik sesa për ndihmë reale ndaj qytetarëve”, theksoi Bajra.

Ai kërkoi nga ZRRE-ja të jetë më transparente dhe të marrë vendime të bazuara në të dhëna, duke mbrojtur interesin publik në vend të fitimeve të operatorëve privatë.