Bahtiri lëshon demonstrativisht mbledhjen e AKR-së: Nëse s’shkojmë me VV-në ndahet partia

AKR-ja e Behgjet Pacollit po përçahet. Kryetari i Mitrovicës, që llogaritet njeri me ndikim në këtë parti dhe me votë ka paralajmëruar largimin nga AKR-ja. Madje, një ditë më parë, demonstrativisht ka lëshuar mbledhjen e partisë.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri, ka “kërcënuar” shefin e tij Behgjet Pacolli që të lidhë koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme me Lëvizjen Vetëvendosje, në të kundërtën ka paralajmëruar se partia do të ndahet.

Burime të Gazetës Online “Reporteri.net” kanë bërë të ditur se Agim Bahtiri e ka lëshuar në mënyrë demonstrative mbledhjen e cila është mbajtur të hënën duke thënë se nëse nuk ndodh kjo ai së bashku me një grup përkrahësish tjerë të AKR-së do largohen nga partia.

Kjo mbledhje e Kryesisë së AKR-së është mbajtur dje, pas situatës së re politike të krijuar në vend, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar.

AKR ka diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të ushtrojë kompetencat e veta kushtetuese që sa më parë ti jep zgjidhje kushtetuese situatës së krijuar pas dorëheqjes së Kryeministrit.