Bahtiri i bën thirrje familjes Jashari që të pranojnë postin e presidentit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i ka bërë thirrje familjes Jashari që të pranoj postin e presidentit, në mënyrë se siç ka thënë ai “të zgjidh ngërçin politik”.

Përmes një letre të hapur, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës ka thënë se familja Jashari është e vetmja alternativ në mënyrë që Kosova ta kapërcejë këtë krizë.

“Në këtë terr politik, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit. Kur institucionet lëkunden, themelet janë ato që na mbajnë në këmbë. Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është vetë institucioni i moralit, i sakrificës dhe i unitetit të pakontestueshëm shqiptar; është institucion i besueshmërisë e kurrë i tradhëtisë. Prandaj, sot, me përulësinë më të madhe dhe me bindjen më të lartë atdhetare, ju bëj thirrje: Kosovës i duhet një JASHAR në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës”.

“Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën. Në këto kohë rrethimesh moderne, na duhet dikush që fjalën e ka burrërore dhe veprën atdhetare. Prania juaj në krye të shtetit do të ishte garancia më e madhe për aleatët tanë dhe mesazhi më i qartë për armiqtë tanë se Kosova është e pathyeshme”, thuhet në letrën e Bahtirit.

Emri i një anëtari të familjes Jashari ishte përmendur edhe në javët që lamë pas kur krerët e partive politike po diskutonin për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë, Murat Jashari, si kandidat potencial nga kjo familje kishte refuzuar kategorikisht propozimin e kryeministrit Kurti.

Ai kishte thënë se familja Jashari i përket të gjithë shqiptarëve.