Roberto Baggio, i cili këto ditë ndodhet në New York, gjatë Botërorit për Klube, foli përsëri mbi penalltinë e famshme të humbur në Pasadena, gabim që i kushtoi Italisë humbjen në finale, në SHBA ’94, ndaj Brazilit. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ish-sulmuesi i njohur ende nuk e fal veten.
Në një intervistë për “The Athletic”, Baggio u rikthye te momenti kur topi shkoi mbi traversë dhe i dorëzoi Botërorin kësisoji Brazilit: “Nëse do të kisha një thikë në atë moment, do të kisha vrarë veten. Nëse do të kisha një pistoletë, do të kisha qëlluar veten. Në atë moment doja të vdisja. Kështu ndodhi”.
Rasti për të marrë revansh mund të ishte në Botërorin 2002, të cilin Baggio e përshkruan kështu: “Gjithmonë kam refuzuar skuadrat e huaja, sepse ëndërroja të kthehesha te kombëtarja dhe të luaja atë Botëror. Kam refuzuar shumë oferta, kisha mjaft mundësi, por gjithmonë i kam lënë mënjanë. Po më pyetët nëse do të më pëlqente të luaja në ‘Bombonera’, ju them: Sigurisht. Sigurisht që do ta kisha bërë, nëse do të mundesha”.
Më pas për karrierën si trajner: “E kam marrë licencën, por nuk e kam marrë kurrë seriozisht në konsideratë këtë rol”. Për takimin e fundit me Messin: “I dhashë atij fanellën e Italisë, që e kam veshur në Botërorin 1994 në SHBA. Kur e pa, u emocionua. E preku menjëherë dhe e palosi me kujdes. Ishte diçka shumë e bukur për t’u parë”.
The post Baggio: “Penalltia e humbur kundër Brazilit? Nëse do të kisha pistoletë…” Më pas zbulon “hajmalinë” për Messin appeared first on Telesport.